LAJMI I FUNDIT:

​Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e sektorit privat

​Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e sektorit privat

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme, Shkëmbimit Tregtar dhe Bashkëpunimit e Veprimit Humanitar të Luksemburgut, Xavier Bettel kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për dy fonde për mbështetjen e sektorit privat. Ujdia u arrit pas takimit, që pati Bettel me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Pas nënshkrimit të këtij momerandumi, Bislimi ka thënë se me këtë marrëveshje synojnë të mbështesin sektorin privat vendor për të promovuar inovacionin dhe për të ndihmuar në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

“Takimet dhe bisedat e sotme ishin konfirmim i radhës i përkushtimit tonë për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimit të mundësive për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët…Përmes projekteve të ndryshme financiare Luksemburgu deri më tani ka investuar rreth 100 milionë euro në Republikën e Kosovës, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe progresin tonë ekonomik dhe shoqëror. Sot zëvendëskryeministri Bettel dhe ministrja e MINT, Hajdari sapo nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për dy fonde për mbështetjen e sektorit privat. Këto dy fonde synojnë të mbështesin sektorin privat vendor për të promovuar inovacionin dhe për të ndihmuar në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit me mbështetjen e Luksemburgut i ofron bizneseve dhe ndërmarrësve tanë mjetet që u duhen për të ecur në kohën në periudhën digjitale”, tha Bislimi.


Në anën tjetër, Bettel ka thënë se kjo marrëveshje është një investim që të rinjtë e Kosovës të shohin potencialin dhe të jenë pjesë e tij.

“Kjo marrëveshje ndërmjet nesh nuk është diçka e re, mirëpo fakti që mundemi të kemi edhe sektor të rinj me sektorin privat…Mund të them që nuk është një shpenzim, është një investim në njerëz, në të ardhmen, është një investim për me pas edhe mundësi si kosovar, sikur të rinjtë e Kosovës të shohin potencialin dhe me qenë pjesë e këtij potenciali”, tha Bettel.

Bettel po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, ku fillimisht është takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Ndërkaq, pas këtij takimi, Bettel është takuar edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.