LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Hungaria me udhërrëfyes për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik

Kosova dhe Hungaria me udhërrëfyes për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj dhe Levente Magyar ministër i shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, kanë nënshkruar sot aktin e protokollit të sesionit të Komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik Kosovë-Hungari.

Zëvendësministri Murtezaj i cili njëherësh është edhe bashkëkryesues i këtij komisioni ka theksuar se “ky protokoll që po e nënshkruajmë sot është një dokument i mirë që do të shërbej si udhërrëfyes për të t’i intensifikuar dhe për t’i dhënë një dinamikë më të madhe aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat”.


Me këtë rast zëvendësministri Murtezaj e ka falënderuar ministrin Magyar për mbështetjen e vazhdueshme që shteti hungarez ia ka dhënë Kosovës në vazhdimësi, por edhe tash.

“E falënderoj Qeverinë e Hungarisë dhe popullin hungarez për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në kohërat e vështira por edhe në kohërat e sotme të zhvillimit për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës dhe për përkrahjen e Hungarisë në anëtarësimet e Kosovës në organizatat dhe institucionet e ndryshme ndërkombëtare”, ka deklaruar zëvendësministri Murtezaj.

Nga ana tjetër, ministri Magyar, duke kujtuar raportet e mira ndërmjet dy shteteve është shprehur i bindur se në të ardhmen Kosova dhe Hungaria do të arrijnë të flasin për rezultatet e projekteve të përbashkëta pasi siç është ka theksuar ai, nga investimet hungareze në Kosovë do të bëhen shumë projekte të cilat do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Me financime hungareze do të realizohen shumë projekte strategjike në Kosovë të cilat kanë të bëjnë me infrastrukturën, transportin menaxhimin e ujërave dhe mendoj se do të jenë projekte që do të tregojnë zhvillimin e vendit. Ndër të tjera do të përmendja edhe ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës për të cilin Hungaria ka bërë propozim për financimin e tij dhe negociatat janë në vazhdim e sipër për këtë çështje dhe jemi ndër kandidatët e favorshëm për realizmin e këtij objekti”, është shprehur ministri Magyar.

Ndërsa ka shprehur mirënjohjen kundrejt Qeverisë së Kosovës për përpjekjet për të identifikuar fushat në të cilat do të mund të punonin së bashku të dyja qeveritë. /Telegrafi/