LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe engjëlli i saj

Kosova dhe engjëlli i saj
Yannis Behrakis (Norvegji, 2016)

Luan Rama

Yannis Behrakis vdiq. Aparatet dhe fotografitë e tij kanë mbetur tashmë në muzeun kohës dhe të përjetësisë, pasi ky fotograf i Reutersit fiksoi në celuloid vetë kohën, botën dhe njerëzit e saj më të mjerë dhe më të shtypur; fiksoi ato emigrime të dhimbshme e klithëse që botën do ta bëjnë gjithnjë të kujtojë; fiksoi luftërat dhe pushtimet, plumbin dhe gjakun, vdekjen dhe jetën, etjen dhe kërkimin e lirisë. Ky fotograf grek i la Kosovës një engjëll të vrarë, një fëmijë dy vjeçar, një lule të sapo çelur në bulëzimin e jetës.


Klithma e Kosovës
Lexo po ashtu Klithma e Kosovës

Ishte një engjëll i vrarë, i gjakosur, që aparati i tij e ka fiksuar nga lart, si të ishte në një afresk mesjetar, si të ishte Virgjëresha në kishën e “Shën Marisë” së Beratit apo në kishën “Fjeta e Shën Marisë” në Voskopojë e po kështu në një tablo të Theotokos, të madhit El Greco. Në foton e BehrakisIT nuk është virgjëresha. Mes asaj dhome të varfër kosovare të përmbytur nga dhimbja, nuk rëndon e zeza e zisë, por një lloj drite aureole si në ikonat mesjetare.

E njëjta atmosferë divine, paqeje, ku trupi duket se po ngrihet lart, trupi i fëmijës së vrarë gjatë luftës së Kosovës për lirinë e saj, e që tashmë një forcë e çuditshme, ajo e çastit sublim dhe e artit po e ngrinte, po e ç’vendoste atë nga realiteti për ta kthyer në një emblemë, në simbol, në një referencë kombëtare dhe botërore. Nuk di se si ka mundur ky fotograf të shkrepë aparatin e tij para një pamje të tillë, para kësaj zie të papërshkruar, ku dora nuk duhet të dridhet, pasi ai fëmijë duhej të fliste dhe pas vdekjes.

Me siguri ka qenë një çast i magjishëm, pa frymë, ku koha ka mbetur pezull. Po, Kosova duhej të kishte Engjëllin e saj. Në morinë e fotografive të mrekullueshme dhe aq domethënëse të këtij fotografitë revoltës e humanizmit, kjo fotografi do të n’a kujtojë gjithnjë çastin e shfaqjes së ëngjëllit, atë të rilindjes së Kosovës.