LAJMI I FUNDIT:

Kosova bëhet me investitorin e dytë strategjik

Kosova bëhet me investitorin e dytë strategjik
Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës i ka dhënë sot statusin e Investitorit Strategjik subjektit investues “Moximo Luma Kosova Mining” me projektin investues “Vicianum Mining Project”.

Kapitali i investimit strategjik është 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa investimi do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.


Me këtë rast ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi tha se grupi operacional në bashkëpunim me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka bërë shqyrtimin dhe vlerësimin teknik dhe operacional të dokumentacionit të aplikimit të dosjeve.

Ai tha se grupi operacional dhe KIESA kanë konstatuar se subjekti aplikues ka prezantuar dokumentacionin komfor udhëzimit administrativ nr.15/2018, në funksion të plotësimit të formularit të aplikimit si investitor strategjik.

Qeveria e Kosovës miraton ndryshimet në Ligjin për Zonat Ekonomike
Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës miraton ndryshimet në Ligjin për Zonat Ekonomike

“Përfitimin e statusit të investitorit strategjik në periudhën afatmesme 2021-2025, Moximo Luma Kosova Mining, si investitor strategjik do të implementojë projektin si në vijim: projektin i cili në vete do të ngërthej nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, njëkohësisht projekti do të implikojë një numër të konsiderueshëm të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtar. Moximo Luma Kosova Mining në vlerë prej 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, do të përfshijë në vete edhe sistemin arsimor, një bashkëpunim të ngushtë do ta ketë edhe me Universitetin e Mitrovicës dhe komunat përkatëse. Faktor kyç i projektit është që shumica e lëndëve së përpunuara do të eksportohet, gjë që ngritë edhe ekonominë e vendit dhe eksportin”, tha ai.

Ndryshe, pronat ku realizohet ky investim janë prona publike dhe private. /Telegrafi/