LAJMI I FUNDIT:

KOSID: Tërheqja e Bankës Botërore nga projekti ‘Kosova e Re’, vendim i qëlluar

KOSID: Tërheqja e Bankës Botërore nga projekti ‘Kosova e Re’, vendim i qëlluar
Foto: Arkiv

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) organizoi diskutimin “Tërheqja e Bankës Botërore nga investimet në thëngjill”, ku me këtë rast Haki Abazi bashkëthemelues i KOSID, tha se tërheqja e Bankës Botërore nga përkrahja financiare për projektin “Kosova e Re”, është vendim i qëlluar dhe mjaft me rëndësi.

Abazi ka thënë se alternativa për prodhimin e energjisë do të ishte investimet në energji të ripërtërishme dhe shfrytëzimi i interkonjeksionit me Shqipërinë.


“Prodhimet e energjisë me thëngjill janë të dëmshme për ambientin dhe qytetarët”, tha Abazi, duke shtuar se termocentrali “Kosova A” mbetet ndotësi më i madh në Evropë.

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, theksoi se sa i përket ndotjes së ambientit nga “Kosova B” ekzistojnë fondet prej 78 milionë euro për ndërrimin e filtrave, por sipas tij, KEK nuk po arrijë ta procedoj këtë projekt për shkak të procedurave tenderuese.

Ai tha se nga MMPH janë dhënë të gjitha pëlqimet mjedisore kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e “Kosovës së Re”.

Qytetarët e Obiliqit theksuan se kanë paditur Ministrinë e Ambientit për pëlqimin e dhënë dhe për këtë kompani amerikane, ndërsa, ministri tha se nuk është në dijeni për këtë veprim.

“Pëlqimi mjedisor është i rregulluar dhe dua ta ftoj gjykatën që ta trajtojë këtë padi kundër Ministrisë me urgjencë”, tha Matoshi.

Ndërsa, Viktor Berisha, tha se ka shkelje ligjore për dhënien e pëlqimit për çështje mjedisore kompanisë “Contour Global”, sipas tij, nuk është shqyrtuar kjo çështje në debate publike dhe askush prej shoqërisë civile nuk ka qenë i njoftuar për debat publik.

Ndërsa, të ftuar në këtë panel kanë qenë edhe përfaqësues të “Contour Global” dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, por nuk i janë përgjigjur ftesës. /KP/Telegrafi/