LAJMI I FUNDIT:

Koreja e Veriut zhvilloi një “paradë të rrallë ushtarake”, thotë Koreja e Jugut

Koreja e Veriut zhvilloi një “paradë të rrallë ushtarake”, thotë Koreja e Jugut

Koreja e Veriut zhvilloi një paradë ushtarake herët të shtunën për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të Partisë së saj në pushtet, ka thënë ushtria e Koresë së Jugut.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, përvjetori, i festuar me një mori koncertesh dhe festivalesh, u ndoq nga afër në rajon pasi u pa si një ngjarje ku udhëheqësi Kim Jong Un mund të jepte mesazhe për audiencat vendase dhe të huaja.


Madje analistët kishin thënë se Veriu mund të zbulojë armë të reja strategjike, por media shtetërore nuk ka lëshuar ndonjë imazh ose raport mbi një paradë.

Shefat e Përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut thanë se dalluan shenja se një paradë që përfshinte pajisje ushtarake dhe personel në shkallë të gjerë u zhvillua në kryeqytetin Pyongyang por nuk dhanë detaje të mëtejshme.

“Kishte shenja se Koreja e Veriut zhvilloi një paradë ushtarake këtë mëngjes në Sheshin Kim Il Sung, duke mobilizuar pajisje dhe personel në shkallë të gjerë”, është thënë në një deklaratë.

“Koreja e Jugut dhe autoritetet e inteligjencës amerikane po monitorojnë nga afër zhvillimet, përfshirë edhe mundësinë që ajo të ishte ngjarja kryesore”.

Kjo ishte hera e parë që parada u mbajt në orët e para të ditës dhe Kim pritej të merrte pjesë, i tha një burim ushtarak Reuters.

Në gusht, Kim tha në një takim kryesor të byrosë politike se festimet e përvjetorit duhet të “përgatiten në nivelin më të mirë me stil të veçantë si një festival i shkëlqyeshëm politik”.

Ndërkohë për javë me radhë imazhet satelitore tregtare kanë treguar mijëra ushtarë të Koresë së Veriut që praktikojnë marshimin dhe zyrtarët e Koresë së Jugut kanë thënë se Veriu mund të përdorë paradën për të zbuluar një raketë të re balistike ndërkontinentale (ICBM), ose një raketë të re balistike të lëshuar nga një nëndetëse.

Ngjarja vjen ndërsa vendi i izoluar kryen masa të rrepta për të parandaluar coronavirusin e ri – edhe pse shteti sekret nuk ka raportuar ndonjë infeksion të brendshëm, një pretendim që Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dyshim.

Hera e fundit që Koreja e Veriut transmetoi një paradë ushtarake drejtpërdrejt në televizion ishte në vitin 2017, kur tregoi shumë armatim në mes të tensionit të shtuar me Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/