LAJMI I FUNDIT:

Konsumatorët e rregullt paguajnë edhe humbjet teknike të rrymës

Konsumatorët e rregullt paguajnë edhe humbjet teknike të rrymës

Përveç që janë ngarkuar me humbje komerciale dhe kanë paguar miliona euro deri më tani, konsumatorët e rregullt që paguajnë faturat e energjisë elektrike ngarkohen edhe me humbjet teknike që ndodhin në rrjetin e energjisë elektrike.

Se konsumatorët paguajnë koston e humbjeve teknike e kanë pranuar zyrtarisht edhe në Zyrën e Rregullatorin për Energji (ZRRE). Por çfarë çmimi të energjisë elektrike do të kishin konsumatorët nëse nuk do të ngarkoheshin me humbjet komerciale dhe teknike?


Për dhjetë vjet, qytetarët kanë paguar 280 milionë euro rrymë të pashpenzuar
Lexo po ashtu Për dhjetë vjet, qytetarët kanë paguar 280 milionë euro rrymë të pashpenzuar

Zëdhënësja e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Adelina Murtezaj-Bajrami ka thënë për Telegrafin se kostot e humbjeve që shkaktohen gjatë ofrimit të një shërbimi paguhen nga konsumatorët. “Është parim ekonomik, në çdo sektorë, që të gjitha kostot e arsyeshme që shkaktohen gjatë procesit të ofrimit të një shërbimi të paguhen nga shfrytëzuesit e atij shërbimi. Edhe sipas ligjeve në fuqi, të cilat janë në përputhje me direktivat e BE-së, një vlerë e arsyeshme e humbjeve ju pranohet operatorëve të sistemit energjetik, si pjesë e të hyrave të lejuara maksimale, në mënyrë që ata të mund të funksionojnë për t’ju ofruar konsumatorëve shërbime të qëndrueshme”, tha ajo.

Për çdo 100 euro, konsumatorët kanë paguar rreth 22 euro më tepër për rrymë, shkaku i humbjeve komerciale! (Dokument)
Lexo po ashtu Për çdo 100 euro, konsumatorët kanë paguar rreth 22 euro më tepër për rrymë, shkaku i humbjeve komerciale! (Dokument)

Murtezaj–Bajrami ka thënë se humbjet e energjisë janë kosto që i shkaktohen operatorit për shkak të prishjeve teknike, rrjet të vjetruar dhe arsye të tjera.

“Përmirësimi i rrjetit me qëllim të uljes së humbjeve teknike kërkon investime të mëdha, të cilat duhet të mbulohen nga tarifat e rregulluara. ZRRE, gjatë proceseve të shqyrtimeve tarifore, vazhdimisht ka lejuar të hyra për mbulimin e kostove të investimeve kapitale. Bazuar në ligjet e energjisë, tarifat që aplikohen për shfrytëzimin e rrjetit nga prodhuesit dhe konsumatorët duhet të marrin parasysh humbjet, mirëmbajtjen e rrjetit, kostot e tjera të operimit, si dhe kostot e investimeve në infrastrukturë. Por për shkak se këto investime janë të mëdha dhe kanë ndikim të madh në tarifa, ZRRE ka kryer shqyrtime shumëvjeçare të të hyrave të lejuara (Shqyrtimet pesë vjeçare) në mënyrë që të ketë planifikim më të mirë të investimeve dhe shpërndarja e kostove të bëhet gradualisht duke mos rënduar shumë faturat e konsumatorëve”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj-Bajrami.

Të gjitha lajmet nga ZRRE
Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga ZRRE

Në vitin 2012, ZRRE ka përcaktuar Parametrat Rregullativ ku bëjnë pjesë edhe caqet për uljen e humbjeve. “Sipas këtyre parametrave, caqet e vëna nga ZRRE kanë përcaktuar një ulje të humbjeve prej 3% çdo vit, në tre vitet e parë, dhe nga 2% dy vitet pasuese”, ka bërë të ditur ajo.

Përqindja e lejuar nga ZRRE për humbjet e sistemit të shpërndarjes:

30.4% për vitin 2012
27.40% për vitin 2013
24.40% për vitin 2014
21.90% për vitin 2015 dhe
19.40% për vitin 2016

Adelina Murrtezaj-Bajrami ka thënë se ZRRE-ja është në proces të shqyrtimit të periudhës së re shumëvjeçare tarifore për operatorët e rregulluar dhe me vendimin e ri do të përcaktohen parametra të reja për uljen e humbjeve të sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes.

Por sipas saj, ulja e humbjeve do të mundësonte rritja e efikasitetit të Gjykatave. “Për këtë qëllim, ZRRE në periudhën e parë 5 vjeçare ka lejuar 107 milionë euro investime kapitale të cilat kanë ndikuar në zvogëlimin e humbjeve. Siç u cek edhe më lartë, ZRRE është në proces të vlerësimit të investimeve kapitale për shqyrtimin e ardhshëm tarifor i cili do të ndikoj po ashtu në zvogëlimin e mëtejmë të humbjeve në OSSH. Mirëpo, për zvogëlimin edhe me të madh të këtyre humbjeve do duhej një përkrahje më e madhe nga Institucionet tjera vendore e sidomos nga Gjykatat dhe Policia e Kosovës”, tha Adelina Murtezaj-Bajrami.

Ndryshe, Telegrafi ka kërkuar një sqarim nga KEDS-i për humbjet teknike në rrjet, por që nga java e kaluar ata nuk kanë folur për këtë problem që u bie mbi shpinë konsumatorëve që paguajnë rregullisht faturat e rrymës. /Telegrafi/