LAJMI I FUNDIT:

Konstantin Brankusi, babai i “artit të vjetër modern”

Konstantin Brankusi, babai i “artit të vjetër modern”

Viorel Costea

Nëse do të vendosni objektet artistike me origjinë nga Evropa e Vjetër që janë zbuluar këto vitet e fundit pranë punëve të Brankusit (Constantin Brâncuși, 1876-1957) dhe të ndiqni linjat e format, apo minimalizmin e tyre, atëherë do të mund të shihni lidhjen ndërmjet kujtesës kulturore dhe frymëzimit personal të artistit. Kjo i dha forcë qëndrimit artistik të Brankusit kur ishte ende i ri, në atë pikë sa që të linte pas dore mundësinë e mësimit në studion e mjeshtrit Auguste Rodin vetëm pas pak kohe, në mënyrë që të realizonte me vullnet dhe imagjinatë vepra artistike që nuk mund t’i kishte parë kurrë.

Jeta dhe veprat e tij gjeniale tashmë njihen si të famshme në të gjithë botën. Vepra të tilla si “Princesha X”, “Zonjusha Pogany”, “Zog në hapësirë”, “Peshk” dhe shumë të tjera, janë krenaria e disa prej muzeve më të njohur kudo në botë, nga Bukureshti në Paris apo Nju Jork. Jo më pak i famshëm është ansambli monumental në qytetin Targu Jiu (Rumani) i cili përfshin “Tavolina e heshtjes”, “Porta e puthjes” dhe “Shtylla e pafundme”.

Konstantin Brankusi la fshatin e tij të origjinës, Hobita në Rumaninë jugore, në moshë të re, shumë i varfër, por shumë i talentuar. Rrugëtimi i tij formues kalon nga Krajova në Bukuresht, Munih dhe së fundi në Paris. Gjithmonë i palodhur, gjithmonë i përqendruar në idetë e tij, kryeneç, gjithmonë në kërkim të përsosmërisë. “Të krijosh si Zot, të urdhërosh si mbret, të punosh si skllav” ishte motoja e tij.

Gjatë rinisë së tij ka punuar si asistent në atelie të ndryshme me mjeshtra të ndryshëm. Skulpturë, fotografi, pikturë. Ditë pas dite, çdo ditë. Gjatë gjithë jetës së tij, me kalimin e viteve, prekja e tij shumë e veçantë artistike dhe karakteri personal që spikat, do të përcaktonte një botë të re në skulpturë: Arti Modern.

Megjithatë, thellë në shpirtin e tij, pavarësisht nga nderimet e marra, pavarësisht pasurimit të jashtëzakonshëm, deri në fund të jetës së tij në Paris, mbeti një fshatar i thjeshtë nga Hobita. Dramatik, i pagdhendur dhe kryeneç. Është fakt i njohur tashmë që vepra e tij mbart në vetvete trashëgiminë e folklorit rumun, në forma, linja dhe ide. Por, mbi të gjitha, ajo buron nga thellësia e zemrës së tij.

Zbulimet arkeologjike të dekadave të fundit kanë hedhur dritë mbi disa aspekte të reja që lidhen me punën e Brankusit. Artefakte të datuara prej kohës së Evropës së Vjetër, të zbuluara përgjatë gjithë Evropës juglindore, shfaqin të njëjtat linja, forma e harkime si ato të “artit modern” të Brankusit. Për më tepër, në varrezat e dy fshatrave në Transilvani, disa varre që në vend të kryqeve kanë kolona, dhe që datojnë nga koha e dakëve, na kujtojnë menjëherë veprën “Shtylla e pafundme”. Një provë tjetër e njohjes së thellë që ky fshatar nga Hobita kishte për historinë e artit, duke përfshirë këtu edhe atë pre-historik të periudhës neolitike, të Evropës së Vjetër – një kohë paqeje, vazhdimësie dhe respekti për qëllimet e përbashkëta, një kohë kur njerëzit besonin njëri-tjetrin.

Njerëzit që jetonin në Evropën e Vjetër 5000-8000 vjet përpara e dinin dhe zbatonin në mënyrë të pastër dhe të thjeshtë parimet e drejtësisë dhe barazisë ndërmjet njerëzve bazuar mbi interesat e përbashkëta dhe besimin reciprok. Asnjë luftë, asnjë kufi, asnjë hierarki. E gjithë kjo e parë nga ‘lartësia’ e epokës sonë moderne duket si një botë e pamundur dhe e çuditshme, apo jo?

Mirëpo, kjo botë ishte reale dhe zgjati për më shumë se 3000 vjet deri sa njerëzit vendosën ta “modernizojnë” jetën në çdo aspekt të saj. Sot kemi konflikte të zjarrta në çdo moment, kudo në botë. A është ky moderniteti i duhur?

Për më tepër, është fakt i provuar që ne kemi mundësi t’u mbahemi vlerave të mirëfillta e t’i respektojmë ato, që ne të kuptojmë çfarë nënkuptojnë fjalët besim, drejtësi apo interes i përbashkët. Ndoshta duhet që t’i vemë në jetë më shpesh. Kemi fatin që të kemi kudo rreth vetes disa prej shembujve më të mirë të vlerave të përjetshme. Artin. Përgjatë mijëvjeçarëve, arti i lashtësisë është me ne, si një dritare mbi të harruarën, e cila falë punës së arkeologëve është bërë çdo ditë e më e pranishme.

Shembujt janë pafund. I referohem vetëm më të famshmit, Konstantin Brankusit. Skulptori. “Ati” i artit modern. Vlerat e historisë mundet edhe duhet të sillen në të tashmen tonë. Këtë mund ta bëjmë. E bëri Brankusi. Ai bëri shumë më tepër. E gjithë kjo histori do të trajtohet në dokumentarin me metrazh të gjatë, “Trashëgimia e fshehtë e Brankusit”. /GSH/