LAJMI I FUNDIT:

Konsiderohet e tërhequr padia e “Chipita” kundër “Viva Freshit” për konkurrencë jolojale

Konsiderohet e tërhequr padia e “Chipita” kundër “Viva Freshit” për konkurrencë jolojale

Gjykatës Komerciale ka nxjerr aktvendim me të cilin konsideron të tërhequr padinë e kompanisë “Chipita” ndaj “Viva Freshit” për konkurrence jolojale.

Aktvendimi është marrë më 14 shkurt të këtij viti nga gjyqtari i Dhomës së Parë të Gjykatës Komerciale, Departamenti i Përgjithshëm, Gent Bekeri.


“Konsiderohet e tërhequr padia e paditësve ‘Chipita’ S.A me seli në Greqi e ushtruar më datën 30.12.2020 kundër të paditurit ‘Viva Fresh’ Sh.P.K., me objekt kontesti konkurrencë jolojale”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Komerciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kompaninë vendore “Viva Fresh” e ka përfaqësuar firma e avokatisë “Kërveshi & Partners”.

Paditësi kishte kërkuar që të obligohet e paditura që produktet e “Italianno Croissant” dhe “Italianno mini Croissant” me ambalazh të ngjashëm me produktet e paditësit t’i largojë nga tregu dhe të njëjtat produkte të asgjësohen dhe të mos prodhojë apo lëshojë në qarkullim produkte të njëjta apo të ngjashme në të ardhmen.

Paditësi nuk e ka paguar taksën shtesë prej 280 euro pasi është precizuar vlera e padisë në shumë prej 30,001.00 euro,

“Në shkresat e lëndës ekziston prova procesverbali i datës 19.01.2024 se i autorizuara i paditësit është njoftuar me vendimin për pagesën shtesë të taksës gjyqësore, duke e paralajmëruar për pasojat ligjore, ndërsa deri në ditën e marrjes së këtij aktvendimi  i njëjti nuk e ka paguar taksën gjyqësore”, thuhet më tej në aktvendim.

Kompania e njohur botërore “Chipita” S.A kishte paditur kompaninë kosovare “Viva Fresh” sh.p.k për konkurrencë jolojale, duke kërkuar që e njëjta t’i largojë nga tregu dhe të mos i prodhojë më produktet “Italianno Croissant” dhe “Italiano Mini Croissant”. /BetimipërDrejtësi/