LAJMI I FUNDIT:

Konjufca i thur elozhe Kurtit: Vetëvendosje arriti këtu pasi e kishte Kurtin – një drejtues të pathyeshëm, vizionar dhe shumë të përgatitur

Konjufca i thur elozhe Kurtit: Vetëvendosje arriti këtu pasi e kishte Kurtin – një drejtues të pathyeshëm, vizionar dhe shumë të përgatitur

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri, përmes një video-lidhjeje direkte nga atje, i është drejtuar sonte pjesëmarrësve të tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilin kryetari i LVV-së, Albin Kurti, po shpalos platformën e tij për mandatin e ri 4-vjeçar.

Konjufca thotë se Lëvizja Vetëvendosje arriti këtu ku është pasi gjithmonë pati një kryetar të pathyeshëm, vizionar e shumë të përgatitur dhe të dashur për popullin.


“Rrugëtimi ynë nuk është i gjatë, por aktivitetet e bënë rrugën tonë të gjatë dhe aspak të lehtë. Sakrifica ka qenë themeli i këtij rrugëtimi tonë të përbashkët. Vetëvendosja e mëshiron sinqerisht interesin e qytetarëve tanë, ne dolëm të parët në zgjedhjet e vitit të kaluar pasi na besoi populli si të drejtë, të pakorruptuar dhe të panënshtrueshëm”, tha Konjufca.

“Ne arritëm këtu ku jemi edhe falë një fakti që ne patëm një drejtues të pathyeshëm, vizionar, shumë të përgatitur dhe i vendosur për të mirën e popullit. E, ky është Albin Kurti”.

Konjufca tha se Kurti nuk do të udhëheqë i vetëm, por me të gjithë.

“Gjatë burgosjes ishte shembull i qëndresës dhe gjithmonë ishte i gatshëm që të jepte edhe jetën në ato rrethana dhe pas themelimit të LVV-së dhe aktiviteteve tona ai ishte i pari i gatshëm për sakrificë dhe i pari që arrestohej. Por, të jeni të bindur se Kurti nuk qeverisë i vetëm, por bashkë me të gjithë”, tha Konjufca.