LAJMI I FUNDIT:

Konflikt për pasurinë, zbardhet ngjarja me dy viktima në Korçë

Konflikt për pasurinë, zbardhet ngjarja me dy viktima në Korçë

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Korçë, ku mbetën të vrarë dy persona, detaje të reja kanë dalë në dritë mbi motivin e konfliktit midis Emiljano Pines dhe autorit të ngjarjes Ilo Lluka, i cili vrau 40-vjeçarin e më pas edhe veten.

Jashtë kamerave, fqinjët e Emiljano Pines kanë treguar se familja jetonte me qira.


Babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanos prej 4 vitesh, ku nëna e Emiljanos kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës.

Ndërkohë burime për A2CNN nga policia e Korçës, bëjnë me dije se pista kryesore e hetimeve mbetet trashëgimia e një apartamenti në pronësi të babait të Ilo Llukës.

Këtë pronë ai donte t’ia linte si trashëgimi djalit të kujdestares dhe për këtë arsye Ilo Lluka është kthyer nga Greqia ku jetonte dhe punonte si emigrant për t’u përballur me Emilano Pine.

Pasi ka marrë vesh vendimin e të atit për shtëpinë, ai është kthyer mbrëmjen e djeshme në Korçë dhe ka qëlluar 4 herë me armë mbi 40-vjeçarin e më pas edhe veten.

61-vjeçari Lluka njihet si përdorues i pijeve alkoolike ndërsa ekspertiza mjeko ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin.

Ndërkohë për mikrofonin e A2 janë prononcuar edhe fqinjë të viktimave.

Një prej tyre shprehet: “Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babanë e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë.”

Sakaq, një tjetër banore i lagjes numër 10 ku ndodhi ngjarja tregon se ka dëgjuar krismat e armës dhe ndaj ka dalë me shpejtësi të shohë se çfarë po ndodhte.

“I thashë gruas mos janë fishekzjarrë dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre.”