Për tri ditë radhazi American School of Kosova po organizon për herë të parë konferencën e saj Model United Nations (ASKMUN), një iniciativë e udhëhequr nga profesoresha Drita Syla dhe klubi Model UN i shkollës.

ASK këtë vit vendosi të sjell këtë standard të njohur ndërkombëtarisht edhe në Kosovë, duke ofruar një mundësi unike për të rinjtë tanë.



Në konferencë marrin pjesë 60 nxënës, të cilët do të luajnë rolin e diplomatëve.



Pjesëmarrësit angazhohen në debate dhe negocime mbi çështje komplekse globale, duke ushtruar aftësinë për të arritur kompromis dhe hartuar rezoluta që synojnë zgjidhjen e krizave moderne.

Temat e diskutimit do të përfshijë:

Rindërtimi i besimit përmes mbrojtjes së të drejtave të pakicave në shoqëritë e pas-konfliktit

Trajtimi i lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve në vendet në krizë

Si mundet Këshilli i Sigurimit të parandalojë përshkallëzimin e krizës së refugjatëve në konflikt rajonal?

Si mundet Këshilli i Sigurimit të forcojë zbatimin e masave kundër regrutimit të fëmijëve ushtarë?

A duhet të rekomandojë Asambleja e Përgjithshme zbatim më të rreptë të mbrojtjes për pakicat gjuhësore dhe fetare?

A duhet të krijojë Asambleja e Përgjithshme një mekanizëm raportimi që kërkon nga shtetet të dorëzojnë vlerësime vjetore të rrezikut mbi tensionet etnike dhe fetare?

Punimet zhvillohen në pesë komitete të specializuara: Këshilli i të Drejtave të Njeriut, Këshilli i Sigurimit, Këshilli Ekonomik dhe Social, Asambleja e Përgjithshme dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Përtej politikës, ASKMUN është një platformë ku nxënësit zhvillojnë aftësi të rëndësishme si komunikimi publik, kërkimi intensiv dhe mendimi kritik në kohë të shkurtër.

Ky program i transformon nxënësit nga studentë të zakonshëm në protagonistë që përgatiten të formësojnë të ardhmen, duke kultivuar empatinë dhe aftësinë për të kuptuar perspektiva globale. /Telegrafi/