LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Vushtrrisë dhe IADK me marrëveshje për investime në bujqësi dhe punësim

Komuna e Vushtrrisë dhe IADK me marrëveshje për investime në bujqësi dhe punësim

Shumë fermerë vushtrrias do të përfitojnë në investime, si dhe 8 gra do të përfitojnë në punësim, nga një marrëveshje e përbashkët e lidhur sot ndërmjet Komunës së Vushtrrisë dhe Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë, IADK-së.

Pas investimeve të shumta në ndërtimin e infrastrukturës në qytet e fshatra, kryetari i Komunës Bajram Mulaku, thotë se në dy vitet e fundit Komuna është e fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve dhe përkrahjen e punësimit, me qëllim të rritjes së mirëqenies të qytetarëve të Vushtrrisë dhe zbutjen e papunësisë.


Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje që kap vlerën mbi 63 mijë euro, që u bë sot mes kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe Zenel Bunjakut drejtor i IADK-së, drejtoresha e bujqësisë në Komunën e Vushtrrisë, Arta Haxhaj, tha se fermerë vushtrrias do të përfitojnë investime direkte në pesë projekte në bujqësi, si kultivimi i perimeve në fushë të hapur, kultivim i perimeve organike në serra, kultivim të bimëve mjekësore, pastaj ndërtimin e depos model për ruajtjen e plehut të stallës si dhe ngritjen e pemishteve të mjedrave.

Po ashtu Bunjaku, drejtor i IADK-së, bëri të ditur se përmes këtij projekti 8 gra do të punësohen në përgatitjen e ushqimeve të freskëta për nxënës në dy bufe të reja të shkollave që janë pjesë e kësaj marrëveshje të përbashkët me komunën.

Ky është projekt i përbashkët i bashkëfinancimit të Komunës, IADK-së përmes donacioneve të BE-së dhe fermerëve që marrin pjesë në bashkëfinancim të projekteve që ata përfitojnë. /Telegrafi/