LAJMI I FUNDIT:

​Komuna e Ferizajt nuk do mund të ofrojë teste serologjike për qytetarët e saj

​Komuna e Ferizajt nuk do mund të ofrojë teste serologjike për qytetarët e saj

Komuna e Ferizajt në mungesë të buxhetit, nuk do të mund t’u ofrojë qytetarëve të saj teste serologjike falas. Kështu ka deklaruar në një intervistë për KosovaPress, drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bekim Ademi.

Ai tha se aktualisht teste serologjike, ferizajasit do të mund të kryejnë vetëm në tetë laboratorët private që janë licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ferizaj për dallim nga komunat tjera ka pasur probleme buxhetore për arsye se kemi trashëguar borxh kogja të lartë nga qeveria e kaluar për kompani të caktuara, dhe në mungesë të buxhetit ne nuk kemi pasur mundësi të startojmë me teste të tilla, në përjashtim të laboratorëve privat të cilët mbi 8 laboratorë privat po e kryejnë këtë punë dhe neve na mbetet t’i marrim këto rezultate të këtyre laboratorëve dhe të shikojmë gjendjen epidemiologjike të qytetarëve tanë…Momentalisht buxheti që e kemi tani për tani nuk e lejon një gjë të tillë“, theksoi Ademi.

Ndonëse thotë se gjendja epidemiologjike në këtë komunë është më stabile, Ademi tregon se tashmë shifrat e të shëruarve janë me te larta se të atyre të infektuar.

“Momentalisht gjendja është stabile dhe e qetë duke pasur parasysh gjendjen të cilën e kemi pasur ditëve të kaluara, ku kemi pasur konfirmime të shpeshta, ndërsa shërim të pakta të pacientëve me COVID-19. Ndërsa, tani gjendjen e kemi shumë më stabile për arsye se kemi konfirmime me dy-tre raste dhe kemi shërimine e 20-30 personave në ditë. Momentalisht janë edhe 154 persona aktiv, 621 persona i kemi të shëruar nga numri total 811 persona”, deklaroi Ademi.

Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, thotë se edhe qytetarët e Ferizajt janë ballafaquar me vonesa në kumtimin e rezultateve për qytetarët e testuar nga IKSHP-ja. Sipas tij, këto vonesa kanë rrezikuar shëndetin e përgjithshëm.

“Edhe ne sikur të gjitha komunat kemi pasur probleme të tilla për arsye se qytetarëve tanë iu janë vonuar rezultatet me 2-3 ditë të tëra me çka është rrezikuar shëndeti i përgjithshëm i qytetarëve për arsye se qytetari i cili nuk ka marr një rezultat të tillë nuk është vetë izoluar dhe qarkullimi i tij në mese të caktuara, qoftë në sheshe apo në markete ka rrezikuar edhe shëndetin e të tjerëve”, tha ai.

Ademi potencon se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrat Mjekësore, po kryhen të gjitha shërbime mjekësore. /KP/