LAJMI I FUNDIT:

Komisioni për Zhvillim Ekonomik takon përfaqësues të MCC-së

Komisioni për Zhvillim Ekonomik takon përfaqësues të MCC-së

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, priti të mërkurën në takim përfaqësues të Fondit të Mileniumit të Mijëvjeçarit (MCC), me të cilët u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, në projekte të përbashkëta që do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit.

Me këtë rast, kryetarja e komisionit Sala Berisha-Shala, i njoftoi zyrtarët e MCC-së me fushë veprimtarinë e komisionit, duke vënë në pah përkushtimin në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend. Edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Hykmete Bajrami, Veton Berisha, Dardan Sejdiu dhe Muharrem Nitaj, i siguruan ata për gatishmërinë e bashkëpunimit, vlerësuan se një ndër fushat e investimit është sektori i energjisë, veçanërisht ai i energjisë së ripërtërishme.


Zëvendëspresidentja e MCC-së, Karen Session, nga ana e saj, u angazhua për një bashkëpunim në projekte afatgjata dhe të analizuara mirë, e që janë të nevojshme për vendin tonë, sikurse është sektori energjetik si dhe mbështetja e gruas në ekonomi. Ajo, po ashtu vlerësoi se realizimi i projekteve të përbashkëta, për të qenë sa më i sigurt duhet edhe mbështetja e gjerë parlamentare.

Hamza pret në takim zëvendëspresidenten e MCC-së, Karen Sessions
Lexo po ashtu Hamza pret në takim zëvendëspresidenten e MCC-së, Karen Sessions

Lidhur me këtë, anëtarët e komisionit i siguruan përfaqësuesit e MCC-së, se zbatimi i projekteve do të gjejë mbështetje nga të gjithë faktorët relevant në vend, ndërkaq, komisioni do të afirmojë çdo iniciativë bashkëpunimi në të mirë të zhvillimit ekonomik. ​ /Telegrafi/