LAJMI I FUNDIT:

Komisioni për Shëndetësi miraton Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale

Komisioni për Shëndetësi miraton Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka votuar në mbledhjen e së enjtes Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se qëllimi i këtij projektligji është që kostoja e barnave në tregun privat të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit.


Ajo tutje u shpreh se kjo fushë ndërlidhet me prioritetin e Qeverisë Kurti për sigurimin e barnave të nevojshme me kosto të përballueshme për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Miratohet Projektligji për produktet medicinale - çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore
Lexo po ashtu Miratohet Projektligji për produktet medicinale - çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore

“Ju ftoj që ta votoni këtë projektligj kaq të rëndësishëm pasi është e qartë që në mes të dy leximeve mund ta pasurojmë me propozime apo amandamente eventuale”, tha ajo.

Por, karshi këtij projektligji shprehën disa mangësi si deputetët e opozitë, por edhe ata nga mazhoranca.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se projektligji në fjalë i favorizon oligarkët e tregut farmaceutik dhe është në disfavor të pakicave.

Ai se me këto propozime rrezikon të rritet informaliteti dhe të mungojnë barnat me çmimet e shtrenjta.

“Ky që është sjell nga MSh është shumë më i dobët sesa projektligjin, të cilin e kemi dorëzuar, ky e rregullon deri në një masë çmimit e barnave dhe nivelizmin e tyre se si parashihet, por i favorizon oligarkët e tregut farmaceutik duke iu dhënë atyre mundësinë që profitet të jenë deri në 70%, ndërsa ata me pakicë e kanë kufizimin e përfitimit maksimum 25%….Unë mendoj se do të duhej të ishte njëkohësisht në Kuvend ligji për pajisje dhe produkte medicinale sepse duhet të harmonizohen këto çështje në veçanti tek kontraktimi i barnave e pajisjeve mjekësore, mundësia që të jetë e kontraktimit drejtpërdrejtë nga prodhuesi….Me këtë ligj që e keni propozuar nuk parashihet rimbursimi ndërsa, me projektligjin që ne e kemi propozuar 1 vit përpara ka qenë i paraparë edhe rimburisimi i barnave”… Rreziku më i madh nëse nuk bëhen plotësimet që po i themi atëherë ekziston të rritet informaliteti dhe barnat e shtrenjta me mungu në Kosovë dhe qytetari me i detyrua me i ble jashtë Kosovës”, tha Haxhiu.

E Mirsad Shkreta nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se ky projektligj është i përpunuar mirë.

Ai konsideron se është neni 9 që bën kalkulimin e çmimit e jo neni 10, prandaj konkludimin e deputetit Haxhiu se ky ligj i favorizon oligarkët e konsideroi të pavërtetë.

“Mendoj se nuk është e vërtetë, sepse në fakt kalkulimin e çmimit e bënë neni 9, neni 9 pika 10 e nënti 9 thotë që pjesë përbërë e çmimit me shumicë është vlera e marzhës së qarkullimit me shumicë dhe shpenzimet tjera varëse në jo më shumë se 7.5%…neni 10 fletë për përcaktimin e çmimit të barnave gjenerik dhe origjinal i cili në raport me barin origjinal mund të ketë 70% të çmimit, por jo përcaktimi i çmimit për secilin bar”, tha ai.

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj konsideroi se projektligji në fjalë ka ardhur në Kuvend me vonesë, por që, sipas tij, ky projektligj duhet të bëhet i implementueshëm.

Ai theksoi brengën se në këtë propozim nuk është paraparë rimburisimi, Dreshaj u shpreh se nuk është marrë parasysh asnjë rekomandim.

“Asnjë prej rekomandimeve të palëve të interesit nuk është futur në këtë formë që e kemi para nesh.. Shoqata e Farmaceutëve të Kosovës asnjë prej tyre janë futur deri më sot, tek 7.5 ka qenë 7.0 ata kanë rekomanduar 15%…..Ky ligj uroj të implementohet por vërtet pa përdorimin në mënyrë obligative të reçetës SISH-it si duhet vështirë se do të kemi mundësi që tregun ta disiplinojmë…Nuk duhet ta prodhojmë një ligj sa për sy e faqe por duhet të prodhojmë një ligj që implementohet”, tha ai.

E deputeti nga Lista Guxo, Burim Meta u shpreh se ka dilema për nenin 10 se ai prëcakton marzhën e fitmit te shitësit me pakicë, por jo edhe tek ata me shumicë.

“Mendoj se këtu përsëri po vije në pah ai ndikimi jashtëzakonisht i madh i kompanive të mëdha farmaceotike që ndoshta ndonjëherë na kanë penguar në implementimin e ligjeve të tilla duke ndikuar në zyre të ndryshme në MSh, derisa është përcaktuar marzha e fitimit tek shitësit e pakicë dhe është marzhë e fitimit jo e mirë…ndërsa nuk është e përcaktuar marzha e fitimit tek distributorët apo importuesit e depove me shumicë“, u shpreh ai.

Deputetja, Labinotë Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ka vërejte për mandatin e Komisionit, por edhe kompetencat që i jepen rreth funksionimit të këtij komisioni ministrit të Shëndetësisë.

“Nuk po më pëlqen pika 5 kur thotë që rregullat e funksionimit të Komisionit i përcakton me vendim të nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë. Parimisht jo në këtë ligj, por në secilin ligj janë për vendime sa më strikte të mos me lënë xhepa apo mundësi që ministrat pastaj me akte nënligjore, udhëzime administrative se është edhe ngarkesë me ministrinë“, theksoi Dema.

Ndonëse e konsideroi si lajm të mirë ardhjen për shqyrtim në Kuvend Projektligjin për çmimin e produkteve medicianle, deputeti, Haxhi Avdyli kërkoi të rritet numri i inspektorëve farmaceutik me qëllim që ky projektligj të gjejë zbatim.

Ndryshe, projektligji në fjalë aprovua nga Qeveria e Kosovës më 8 mars të këtij viti.

Gjatë prezantimit të tij, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se kjo është një politikë e re në mbrojtjen e qytetarëve.

“Kjo nismë rregullon çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë, përfaqësuesit e mbajtësve të autorizimit për marketing dhe institucionet publike. Projektligji ka për qëllim që kostoja e barnave në tregun farmaceutik të jetë e përballueshme të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit madje edhe më lirë, dhe vendet e tjera referente dhe çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore”, ka thënë Vitia. /Telegrafi/