LAJMI I FUNDIT:

Kolonel Shaberi i Balzakut dhe beteja e pakuptueshme me kohën!

Kolonel Shaberi i Balzakut dhe beteja e pakuptueshme me kohën!

Nga: Agim Baçi

Në Parisin e vitit 1818, avokati Dervil pranon të takojë një të moshuar veshur tmerrësisht keq. Quhej Iasent Shaberi dhe njihej si hero i luftës së Napolonit dhe kish qenë i martuar me Roza Shapotelin. Por, gjatë betejës së Ejlaut, në vitin 1807, ai u plagos rëndë dhe pas pak kohësh u konsiderua nga ushtria e më pas nga familja i vdekur …


Plaku i gjorë tenton t’u tregojë të njohurve se si, përmendur mes një pirgu kufomash në një hendek, arriti t’u mbijetonte për mrekulli plagëve. Por, ai gëzim i pamatë i idesë së rikthimit në Paris i kthehet në zhgënjimin e madh, pasi askush nuk beson se ai është gjallë. Vetëm avokat Dervil e dëgjon dhe si avokat i së shoqes së Shaberit i rrëfen se e shoqja është kontesha Ferro dhe ka një jetë mondane. Ka përdorur të ardhurat nga pensioni si hero i të shoqit dhe është martuar tashmë me kontin Ferro.

Në qytet, Shaberin e nderojnë si hero dhe vetëm për të tillë e mbajnë mend, por askush nuk beson më në praninë e tij fizike, në rikthimin e tij. Madje, askush nuk është gati ta pranojë, pasi ai tashmë i përket historisë. Avokati Dervil pranon ta ndihmojë kolonelin, por Shaberi nuk ka mundur t’i sjellë dokumentet nga Gjermania ku ishte shënuar me dëshmi se si doli i gjallë nga ai hendek kufomash. Avokati i propozon ish-bashkëshortes së kolonelit një ujdi me të. Ironikisht, ajo e admiron vetëm si hero ish burrin, por nuk mund ta pranojë si të gjallë, pasi tashmë jeta rreth saj ka ndryshuar, bota është krejt tjetër.

Kjo është historia e ardhur nga pena e Balzakut (Honoré de Balzac), në novelën “Kolonel Shaberi”- e trishtë, ironike, por njëkohësisht edhe një këshilltare e domodoshme e njeriut për të kuptuar se shumë gjëra në jetë kanë kohën e vet. Pak rëndësi nëse ke vendosur ti vetë për atë që të ka ndodhur, apo nëse fati ka vendosur për ty.