LAJMI I FUNDIT:

Koha për të kuptuar dhe të zbuluar

Koha për të kuptuar dhe të zbuluar

Çdo fëmijë ka nevoja të caktuara emocionale të cilat plotësohen përmes dashurisë, kuptimit, disiplinës etj. Bashkërisht të jemi ata prindër që do ta përdorim izolimin si “koha për t’i kuptuar fëmijët tonë” ose “koha për ta zbuluar se çka duan ata”

Tetjana Bilokurova, Psikologe Klinike
Ulifet Plava Saiti, Menaxhim dhe Udhëheqje në Arsim


Meqenëse tani jemi në shtëpi dhe po e “luftojmë” virusin me petulla, kek, filma dhe rrjete sociale, atëherë le të mundohemi ta lejmë anësh panikun, stresin, mërzinë, të përfitojmë nga rasti dhe të lexojmë diçka.

Leximi të ndihmon të kuptosh deri diku se ç’bëhet rreth teje, sepse duke lexuar shpik ndonjë teori konspirative dhe ndoshta e gjen kush e prodhon dhe me çka do të luftosh virusin… Së paku ke informacionin e saktë për terminologjitë që përdoren tash në këtë periudhë Covid-19.

Në këto ditë të izolimit neve si prind na takon një menaxhim akoma më i madh për dallim nga jeta normale…Prandaj në fillim duhet të qetësohemi dhe të menaxhojmë vetën e më pas familjen tonë, pasi që “ndryshimi fillon nga vetvetja”.

Tani është koha ku duhet ta tregojmë maksimalisht përkushtimin tonë ndaj familjes e veçanërisht ndaj fëmijëve tonë, të cilët realisht nuk e kanë ende të qartë situatën. Përkushtimi do vepra dhe ne duhet t’i krijojmë duke ndërtuar dialogje të mira dhe duke shpenzuar kohën në mënyrën sa më të mirë me fëmijët tonë!

Të mundohemi të lexojmë librat bashkë, por edhe t’i analizojmë, të luajmë duke mos shpejtuar ta mbarojmë lojën, të diskutojmë por të zgjedhim të duhurën, t’i shprehim emocionet – por edhe t’i orientojmë, t’i bëjmë detyrat – por edhe t’i kontrollojmë, të darkojmë bashkë – por edhe të jemi falënderues!

Fëmijëve në përgjithësi u nevojitet prindi i përkushtuar, sepse prindërit e përkushtuar kanë një sjellje të ndjeshme ndaj fëmijëve, janë të kujdesshëm, tolerantë, mbrojtës, e mbështesin fëmijën e tyre si dhe e qetësojnë atë në situata të caktuara. Ata formojnë një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme me fëmijët e tyre.

Pikërisht në këtë kohën e izolimit ne mund të ju përkushtohemi më shumë të dashurve tonë. Por nga ana tjetër ai përkushtim duhet të jetë i vërtetë.

Ne nuk mund të flasim me fëmijët tonë qetë kur ne vet nuk ndihemi të qetë. Ne nuk mund të ju ofrojmë siguri fëmijëve tonë kur ne vet nuk ndihemi të sigurt. Në nuk mund të ju tregojmë se kjo gjendje do të kaloj shpejt kur vet nuk e besojmë këtë.

Mos të harrojmë se fëmijët janë të vegjël por ata i venë re emocionet dhe mendimet tona. Ata na vëzhgojnë neve vazhdimisht.

Fëmijët kanë nevojë të qëndrojnë në shtëpi bashkë me të dashurit. Fëmijët kanë nevojë për zërin e butë të nënës dhe përkëdheljet e babait. Fëmijët kanë nevojë për njerëzit që kanë besim.

Fëmijët nuk kanë nevojë të shikojnë në shtëpi fytyra të frikësuara dhe të alarmuara. Fëmijët kanë nevojë të qëndrojnë në shtëpi me të rriturit që transmetojnë dashuri dhe kanë vetëkontroll.

Nëqoftë se një i rritur i tregon fëmijës se nuk ka gjë dhe çdo gjë është në rregull, por nga ana tjetër e bën alarm dhe mbush frigoriferin si për festën e Bajramit, tek fëmija kjo sjellje mund të shkaktoj konfuzion dhe në vazhdim nuk do jetë i sigurt a duhet t’i besoj apo jo?!

Prandaj, ju duhet të tregoni të vërtetën me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme për moshën e fëmijës. Shpjegoni fëmijës suaj se është normale të ndiheni të tronditur, të frikësuar dhe të shqetësuar. Mos e mohoni shqetësimin tuaj.

Mos harroni se fëmijët vazhdimisht ju kanë si model, dhe në këtë mënyrë e mësoni që mund të ju besojë dhe do t’ju tregojë për emocionet e veta.

Në qoftë se fëmija ju bën pyetje, përgjigjen e të cilës ju nuk e dini, mos hezitoni, tregoni me sinqeritet se përgjigjen për këtë pyetje nuk e dini dhe se do i tregoni kur ta mësoni. Gjithmonë i jepni informacionin e mbështetur në realitet dhe në fakte.

Besimi është i rëndësishëm për të dhënë siguri!

Mos harroni se nëqoftë se nuk mund të kontrolloni ndjenjat e tuaja ndaj pasigurisë, ju nuk mund të bëni që fëmija tuaj të ndihët i sigurt!

Është shumë e rëndësishme që të rriturit të marrin mbështetje emocionale dhe të ndihmohen të menaxhojnë reagimet e tyre normale të stresit dhe të përcjellin tek fëmijët e tyre sigurinë e nevojshme emocionale. Kërkoni ndihmë nga pjesëtarët tjerë të familjes, miqtë, ose referohuni ndonjë profesionisti. Kërkoni mbështetje emocionale.

Çdo fëmijë ka nevoja të caktuara emocionale të cilat plotësohen përmes dashurisë, kuptimit, disiplinës etj. Bashkërisht të jemi ata prindër që do ta përdorim izolimin si “Koha për t’i kuptuar fëmijët tonë” ose “koha për ta zbuluar se çka duan ata”.

Ejani së bashku të jemi ATA që do të përfitojmë nga kjo gjendje, dhe do të jemi ata që do të dalim FITIMTARË nga kjo luftë globale! /Telegrafi/