LAJMI I FUNDIT:

Koha e “Videos” dhe kasetave

Koha e “Videos” dhe kasetave

Nga: Daut Dauti

Me siguri ju kujtohen videot, meqë që nuk është kohë e largët që kanë dalë nga përdorimi. Video, siç e quanim ne këtë aparat elektronik, në gjuhën e teknologjisë është njohur si videorekorder me kaseta VHS. Hulumtimet për këtë aparat kanë filluar herët, por videoja e parë për përdorim të përgjithshëm është prodhuar në Japoni në vitin 1976.


Ky ka qenë një zbulim epokal që ua mundësonte njerëzve të shikonin filma në shtëpi. Deri në këtë kohë, filmat janë shfaqur vetëm në kinema dhe në televizor. Video e kishte edhe mundësinë e incizimit nga televizori e kjo ishte pune e madhe.

Për shkak që njerëzit tanë punonin në Zvicër, Gjermani e gjetiu, video nisi të vinte në mesin tonë. Por, rrallë se kanë qenë të shtrenjta dhe duhej paguar edhe doganën që ishte gati sa çmimi i prodhimit. Ta zëmë, në vitin 1985 unë videon e parë Panasonic e kam ble 900 funte apo 2700 marka të asaj kohe (sipas kalkulatorit të inflacionit, 2700 euro sot), shumë e parave që ishte gati dy rroga të punëtorëve në Gjermani. Natyrisht që me kalimin e viteve dhe zhvillimin e teknologjisë, çmimi i ra edhe këtij prodhimi. Por, me video, në atë fillim, shtëpia shndërrua në një lloj kino-klubi. Vinin fëmijë të lagjes që kishin dëshirë të shihnin filma. Dikush edhe me kasetë të veten vinte te dera dhe të përshëndeste me “a bon me lshu qet kasetë”?

Gjyshja ime nuk i duronte fëmijët dhe ua gjeti ilaçin. Kur mërzitej prej tyre, shkonte te ora e rrymës ku e zhdredhonte siguresën dhe kthehej në dhomë e u thoshte: “Hajt tash shkoni te shpia se u nal struja”.

Në fillim të viteve 1980 ky aparat gjendej ende rrallë në shtëpitë tona. Më vonë filluan kafiteritë të mbanin video për t’i tërhequr myshterinjtë. Një kohë ka qenë e vështirë të gjenden kaseta, edhe pse kishe video. Njerëzit i shkëmbenin kasetat. Gjendja u rregullua kur u formuan video-klubet.  Deri atëherë, njerëzit e shikonin disa herë një film.

Kur dolën edhe kamerat, mrekullia u bë edhe më e madhe. Ky zbulim ua mundësonte njerëzve që të bënin incizime të vetat dhe nëpërmjet videos t’i shikonin në televizor. Nuk ka qenë pak punë me pa veten në televizor dhe njerëzit që i njeh. Krijimin e incizimeve deri në këtë kohë e kishin vetëm kompanitë e filmit dhe shtëpitë televizive. Me këtë u krijua një shprehi e ruajtjes së kujtimeve. Dikur kjo u bë kulturë, sidomos gjatë viteve 1990 kur u mbyll TVP dhe Kosova Filmi. Industria e muzikës dhe e filmit kaloi në VHS e, nëpërmjet videove, erdhi në shtëpitë tona si kompensim i humbjes së televizionit dhe filmit.

Iku shpejt kjo kohë dhe VHS-në e zëvendësoi CD-ja e më vonë DVD-ja. Pastaj, u zhukën edhe këto forma. Nëse sot keni telefon, asgjë tjetër nuk iu duhet. Megjithatë, kjo punë e ka edhe anën negative. Për shkak të këtij zhvillimi sot gjithkush pretendon i trimëruar  të jetë këngëtar, aktor, regjisor, fotograf apo diçka tjetër. Kjo gjë e ka dëmtuar artin. Nuk mundet gjithkush të merret me art. /Telegrafi/