LAJMI I FUNDIT:

Kocijançiq tregon çka do të bisedohet në takim me ekipin negociator të Kosovës

Kocijançiq tregon çka do të bisedohet në takim me ekipin negociator të Kosovës

Të martën (nesër) është paraparë që të mbahet takimi i parë i delegacionit shtetëror të Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi me Shërbimin e Jashtëm Evropian (EEAS) në Bruksel.

Bashkimi Evropian e ka ftuar për konsultime në Bruksel ekipin negociator të Kosovës për bisedime me Serbinë, por, siç tha zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, bisedimet në nivelin e lartë politik do të vazhdojnë ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë.


“Zyra e Bashkimit Evropian për çështje të jashtme e ka ftuar delegacionin nga Kosova, të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor, për konsultime në Bruksel, më 8 janar. Ekipi gjithashtu do të pritet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini”, tha Kocijançiq për Radion Evropa e Lirë.

“Konsultimet janë një mundësi për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që lehtësohet nga BE-ja. Dialogu në nivelin e lartë bëhet ndërmjet dy presidentëve dhe kjo nuk ndryshon”, tha Kocijançiq për Radion Evropa e Lirë.

Bashkëkryesuesit e ekipit negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, udhëtuan të hënën për në Bruksel, ku të martën pritet të mbahet takimi me zyrtarët e BE-së.