Siç jemi mësuar edhe në të kaluarën në Kosovë, koalicionet bëhen vetme për interesa personale dhe partiake dhe pas dështimit të tyre ato quhen si jo të natyrshme dhe të dëmshëm për Kosovën dhe popullin. Kjo retorik e formimit të koalicionit u shfaq edhe këtë herë, që para çdo gjëje ishin po ashtu interesat personale dhe ato partiake. Formimit i koalicionit ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, u konfirmua edhe në letra, sepse realisht këto parti ishin në koalicion edhe para rrëzimit të qeverisë së kaluar dhe ishin pazaret e tyre që rrëzuan qeverinë dhe sollën Kosovën në gjendje te rënd politike, duke shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme që padyshim ishin te manipuluara.

Pazaret e tyre vazhduan dhe u thelluan edhe më shumë me formimin e koalicionit, mirëpo tash bëhej fjalë për arritjen e ëndrrës jetësore të Behgjet Pacollit, për të qenë president i Kosovës. Ky pazar që domosdoshmërisht kënaqte më së shumti dy persona, Thaçin dhe Pacollin, shfaqi pakënaqësi të mëdha brendapërbrenda PDK-së, konkretisht të dy më të dëmtuarit e këtij pazari, Jakup Krasniqin, që dëshironte postin e presidentit, dhe Fatmir Limajn , që për shkak te motos “qeveri me duar te pastra”, mbeti jashtë qeveris.


Seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit te Kosovës qe u mbajt për formimin e institucioneve të Kosovës, u refuzua nga partitë opozitare që lëshuan seancën me arsyetimin që nuk dëshironin të jenë pjesë e këtij pazari, duke përsëritur hyrjen në koalicion të pakicave që sipas Pakos famëkeqe të Ahtisarit, minoritetet kanë ato vende të rezervuara. Madje grupi parlamentar i LVV-së, kundërshtoi edhe personalitetin e Behgjet Pacollit, duke e konsideruar si njeri që nuk paraqet unitet dhe që është i dëmshëm, për shkak të kaluarës së tij, andaj ai nuk ka përkrahjen e popullit dhe që shumë lehtë futet në pazare të ndryshme që janë në dëm të Kosovës, duke u nisur nga gatishmëria e tij për bisedimet me Serbinë, që ai e shfaqi edhe gjatë fjalimit të tij inaugurues si president në parlament, se do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve.

Aty u shfaqen për herë të parë publikisht edhe pakënaqësitë e dy anëtarëve më të rëndësishëm në Partisë Demokratike te Kosovës, Jakup Krasniqit që pushimin dyzet minutësh e quajti si antikushtetues dhe kundër Rregullores së Kuvendit e që ishte kundërshtimi me i madhi i tij i bërë ndonjëherë publikisht ndaj kryetarit te PDK-së. Mirëpo ai u neglizhua nga Thaçi, duke treguar edhe njëherë që si kryetar i Partisë Demokratike te Kosovës, jo vetëm që vendos në PDK, por ai vendos edhe në institucionin më të lartë kushtetues, siç është parlamenti.

Nga ajo që u pa në parlament vërejtëm se çdo gjë dirigjohet përmes sms-ve, që është një fakt i dhimbshëm ku flitej për kërcënime dhe për shantazhime të deputetëve për të votuar Pacollin, në një sistem demokratik. Këto dirigjime ta japin bindje që në Kosovë nuk ka president të zgjedhur me vota te lira të përfaqësuesve të popullit, por kemi një president i cili u zgjodh me sms-a, me kërcënime dhe më pazare.

Nga gjithë kjo histori gjëja me rëndësishme është që kësaj radhe kemi një reagim të madh nga gjitha anët dhe që këto parregullsi që ishin gjithmonë gjatë krijimeve të institucioneve në të kaluarën, kësaj radhe ato u bënë publike dhe dolën në shesh. Séanca u mbajt dhe pa marr parasysh gjitha ato kundërshtime, Kosova u bë me president dhe më qeveri. Fatkeqësisht që në gjithë këtë “marifet’ humbësit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës. Në krye të tyre vjen një njëri i suksesshëm në aspektin ekonomik, por i dyshuar për shkak të profilit te tij politik, lidhjet e tij me Rusin dhe me kompaninë serbe që udhëhiqej nga kriminelë serb. Deklaratat e tij kontroverse në media të ndryshme ndërkombëtare tregojnë një pjesë të tij antishqiptare dhe antishtetërore.

Interesat e qytetarëve edhe kësaj radhe nuk do te merren parasysh për shkak të tërë këtij procesi te dyshimtë të krijimit të institucioneve. Ky koalicion padyshim që u mësitnua dhe kënaqi më së shumti ata të cilët për të arritur qëllimet e tyre më të afërta siç janë bisedimet me Serbinë, që janë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës me vet faktin që këto bisedime do ta ndihmojnë futjen e Serbisë në BE dhe kompromisin e gjashtëpikshit të Ban Ki-moonit, që domosdoshmërisht për këtë proces duhen te përdoren këta dy përfaqësues institucionesh. Ata tashmë kanë prapë njerëzit adekuat në krye të institucioneve që do të shantazhohen dhe do të pranojnë që të bëjnë bisedime me Serbinë e që pa marrë parasysh çfarë do të bisedohet dhe sa do te humbë Kosova, ata do të jenë pro.

Shumica e qytetarëve padyshim që këtë qeveri e quajnë qeveri te bisedimeve me Serbinë dhe që prioritet kryesor i programit të kësaj qeverie janë pikërisht bisedimet. Martesa mes Thaçit dhe Pacollit u kurorëzua nga Christopher Dell dhe qe fryt i kësaj martese do të jenë bisedimet me Serbinë.