Hoffenheimi nuk bën pjesë ndër klubet tradicionale të futbollit gjerman, në fillim të viteve 2000, kjo skuadër garonte në kategorinë e pestë, ndërsa në vitin 2008 arriti për herë të parë promovimin në Bundesligë, ku prej atëherë ka qëndruar vazhdimisht.

Në arenën evropiane, debutimin e bëri në sezonin 2017/18, paraqitjen e vetme në fazën grupore të Ligës së Kampionëve e ka regjistruar në edicionin 2018/19, ndërsa në Ligën e Evropës ka marrë pjesë në sezonet 2020/21 dhe 2024/25.


Tashmë, për herë të pestë në histori, Hoffenheimi ka siguruar një vend në garat evropiane për sezonin 2026/27.

Ekipi ka garantuar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, por objektivi mbetet edhe më i madh, kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Interesimi për këtë skuadër në Kosovë është rritur ndjeshëm falë pranisë së tre lojtarëve të rëndësishëm të përfaqësueses, sulmuesit Fisnik Asllani, mesfushorit Leon Avdullahu dhe mbrojtësit Albian Hajdari, ku të tre janë shndërruar në figura kyçe për ekipin gjerman.

Në fitoren 2-1 ndaj Hamburgut në udhëtim, që vulosi një vend në Evropë, Asllani realizoi gol, ndërsa Hajdari kontriboi me asistim.

“Klubi nga fshati sërish në udhëtim, pas paraqitjes në edicionet 2017/18, 2018/19, 2020/21 dhe 2024/25, Hoffenheimi është kualifikuar për garat evropiane për herë të pestë në histori të klubit. Fitorja ndaj Hamburgut garanton renditjen në top-gjashtë të tabelës së Bundesligës”, ka shkruar Hoffenheimi në faqen zyrtare.

“Kualifikimi evropian është e arritur fantastike dhe shpërblim shumë i merituar për punën e madhe të ekipit, stafit të trajnerëve, stafit përkrahës dhe të gjithë të përfshirëve”, ka thënë Andreas Schicker, drejtor sportiv i Hoffenheimit.

“Por ka ende ndeshje për të luajtur. Janë edhe nëntë pikë për t’i fituar dhe ne mbesim të uritur. Ne gjithnjë duam të marrim maksimumin. Kështu që i gjithë fokusi është te ndeshja e së shtunës ndaj Stuttgartit”, ka shtuar Schicker.

Pikërisht përballja me Stuttgartin pritet të jetë vendimtare për pozitën e katërt në Bundesligë, e cila siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, ekziston mundësia që edhe vendi i pestë të sigurojë një biletë për këtë kompeticion, në varësi të rezultateve të klubeve gjermane në garat evropiane.

Roli i Avdullahut, Hajdarit dhe Asllanit në këtë sukses është i padiskutueshëm.

Ata janë aktivizuar rregullisht dhe kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm gjatë sezonit.

Hajdari tashmë ka rinovuar kontratën me kushte të përmirësuara, ndërsa për Avdullahun pritet zyrtarizimi i marrëveshjes së re.

Në anën tjetër, forma e mirë e Asllanit ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane dhe një transferim gjatë verës duket i mundshëm.

“Ndihemi shumë mirë që kemi arritur qëllimin për kualifikim në Evropë. Askush nuk do ta besonte këtë para fillimit të edicionit. Tani duam ta fitojmë edhe ndeshjen me Stuttgartin”, ka thënë Fisnik Asllani pas fitores ndaj Hamburgut.

Deri në fund të sezonit, Hoffenheimi do të përballet me Stuttgartin në shtëpi, ndërsa më pas udhëton për ndeshjet kundër Werder Bremenit dhe Borussia Monchengladbachut.

Pas javës së 31-të, skuadra ka grumbulluar 57 pikë dhe renditet në vendin e pestë, me pikë të barabarta me Stuttgartin që mban pozitën e katërt. /Telegrafi/

telegrafi sport app