LAJMI I FUNDIT:

KMDLNJ kërkon hetim të paanshëm e të pavarur ndaj Bahtirit

KMDLNJ kërkon hetim të paanshëm e të pavarur ndaj Bahtirit

Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë ka apeluar tek organet e hetuesisë që punën e vet ta bëjnë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe pa ndikime politike në rastin e ngritjes së aktakuzës kundër kryetarit të këtij qyteti Agim Bahtir.

Sipas tyre, të dhënat flasin se prej ardhjes në krye të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, në administratën komunale  nuk është shënuar asnjë rast i dukurive  negative si ryshfeti, korrupsioni, krimi i organizuar etj.


“Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë, lidhur me ngritjen e kësaj aktakuze shpreh shqetësimin dhe dyshimin  e vet, se aktakuza e ngritur kundër kryetarit Agim Bahtiri në këtë kohë dhe në këtë mënyrë, mund të jetë e motivuar politikisht dhe me qëllim të shantazhimit dhe frikësimit të tij, për shkak të qëndrimit kategorik e parimor që ai mbanë kundër ndryshimeve të kufirit administrativ midis komunës legjitime të Mitrovicës dha asaj të formuar në veri të Mitrovicës, të përcaktuar me pakon e Ahtisarit dhe qëndrimit të tij kundër mbylljes së urës kryesore mbi lumin Ibër, që ishin dhe janë kërkesa të ekstremistëve serbë” thuhet në një komunikatë të dërguar, transmeton Klan Kosova.

Sipas KMDLNJ “Agim Bahtiri, ishte po thuaj zëri i vetëm, që me këmbëngulje kërkonte debllokimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, e jo mbylljen e saj dhe krijimin e një “parku” përreth, siç kërkonin drejtuesit serbë dhe qeveria e Serbisë, këmbëngulësi kjo e tij që dhe rezultat, pasi që tani më ekziston marrëveshja e arritur për hapjen e urës në qershor të këtij viti”.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se Bahtiri është këmbëngulës dhei palëkundur në qëndrimin e tij, të bazuar në kërkesat e qytetarëve të komunës së Mitrovicës, se nuk do të nënshkruaj kurrfarë marrëveshje me kryetarin e komunës së re në veri të Mitrovicës, Goran Rakiq, për ndryshimin e kufijve administrativ midis dy komunave.

“Siç dihet, kryetari i komunës së re në veri të Mitrovicës, të administruar nga serbët, Goran Rakiq dhe qeveria e Serbisë, kanë shfaqur apetite të reja, për ndryshimin e këtyre kufijve, që ishin përcaktuar me pakon e Presidentit Ahtisari, pako e cila parashihte që Lagja e doktorëve, e banuar me shqiptarë dhe të gjitha fshatrat tjera të banuara me shqiptarë, të luginës së Ibrit deri në kufirin me komunën e Zubin Potokut dhe të Zveçanit,  duke përfshi këtu edhe Suhadollin e Epërm ku jetojnë disa familje serbe,  të mbesin pjesë e komunës legjitime të deritashme të Mitrovicës”.

KMDLNJ në qytetin e Mitrovicës është shprehur se gjatë gjithë verës, por edhe tani, kryetari Agim Bahtiri ka qenë dhe është nën presionin e ndërkombëtarëve, për të lëshuar pe në këtë dreejtim, gjë të cilën ai me plotë të drejtë nuk është duke e bërë.

KMDLNJ ka kërkuar  nga organet e drejtësisë që të jenë shumë të kujdesshme dhe të pa varura në punën e tyre lidhur me shqyrtimin e aktakuzës kundër kryetarit Bahtiri, në mënyrë që rasti të ndriçohet vetëm në bazë të ligjit.