LAJMI I FUNDIT:

Klubi i Prodhuesve: Taksa në Rrugën e Kombit e lartë, prodhon kosto shtesë për bizneset

Klubi i Prodhuesve: Taksa në Rrugën e Kombit e lartë, prodhon kosto shtesë për bizneset

Drejtuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës (KPK), kanë thënë se prodhuesit nga Kosova hasin në pengesa të shumta gjatë eksportit në Shqipëri. Ata kundërshtojnë edhe vendosjen e taksës rrugore për kalim në Rrugën e Kombit, pasi kjo taksë prodhon kosto shtesë.

Përveç bizneseve taksën në Rrugën e Kombit, prej 5 euro për kalim në njërën rrugë për veturë, e kanë kundërshtuar edhe banorët e Kukësit të cilët kanë djegur pikën e pagesën.


“Kjo taksë është e lartë, jo proporcionale dhe prodhon kosto shtesë dhe të panevojshme, dhe se kjo taksë vetëm sa rrit koston e eksportit për prodhuesit Kosovar dhe është edhe një barrierë shtesë në marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri. Vënia e kësaj takse në rrugën e Kombit është edhe një pengesë për prodhuesit e Kosovës, pengesë kjo që i shtohet pengesave si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos”, kanë thënë në Klubin e Prodhuesve për Telegrafin.

Ata vlerësojnë se taksa do të ketë ndikime negativ në produktet e Kosovës që eksportohen në tregun shqiptarë, për shkak se kostoja e transportit do të ngrit çmimet në treg.

“Këto janë problemet reale të cilat po ndikojnë në mosfunksionimin e një tregu të përbashkët. Barrierat tregtare më të theksuara janë në produktet bujqësore. Kemi mjaft raste ku raporti i analizave në kualitet i lëshuar nga laboratorët relevant të Kosovës nuk njihet nga autoritetet e Shqipërisë. Kemi edhe aplikim të çmimeve referente ndaj produkteve bujqësore me orgjinë kosovare më se shumti me rastin e patateve, miellit etj”, theksojnë në Klubine Prodhuesve të Kosovës.
Kosova dhe Shqipëria, sipas KPK-së, kanë arritur disa marrëveshje për nxitje të ndërmjetësimit të tregtisë,por të cilat nuk janë duke u aplikuar.

“Në këtë aspekt ka ende hapësirë që të bëhet një fuqizim më i madh i raporteve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kur kihet parasysh se ka shumë fusha dhe shumë produkte, ku të dyja vendet janë konkurruese, dhe mund ta plotësonin tregun e njëra tjetrës me produkte specifike, e në veçanti me ato sezonale”.
Zyrtarët e këtij Klubi kanë thënë se përkrahin çdo iniciativë e cila mbështet prodhuesit dhe lehtëson marrëdhëniet e shkëmbimit tregtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ne besojmë që prodhuesit janë promotorët më të mirë të zhvillimit ekonomik, në të dyja vendet, andaj duhet që atyre të ju ofrohen kushtet e nevojshme që të ndërtojnë një ekonomi komplementare e cila e ndihmon njëra tjetrën. Marrëdhëniet e mira tregtare janë domosdoshmëri e zhvillimit ekonomik, por janë edhe kusht për anëtarësimin e rajonit edhe në bashkimin evropian”, kanë thënë zyrtarë të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, në një përgjigje për Telegrafin. /Telegrafi/