Aktualisht ka 35 raste të konfirmuara dhe tre raste të dyshuara me ethe të Nilit Perëndimor, të cilat janë në proces diagnostikimi. Gjashtë pacientë janë në gjendje kritike dhe ndodhen në kujdes intensiv në Klinikën Infektive.

Nga rastet e konfirmuara, shumica janë të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa një pacient po trajtohet në një institucion shëndetësor privat, bëri të ditur sot në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.


Ministri shtoi se deri më tani janë regjistruar tre raste të vdekjes, ndërsa 15 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar nga Klinika Infektive.

Ai theksoi se aktualisht Athina është zona më aktive në Evropë sa i përket etheve të Nilit Perëndimor. Në Greqi deri tani janë regjistruar 81 raste me formë neuroinvazive dhe nëntë persona kanë vdekur, ndërsa tashmë janë shfaqur raste edhe në zonat kufitare me Maqedoninë e Veriut.

“Kapacitetet shëndetësore diagnostikuese janë ngritur në nivel maksimal. Nëse vitet e kaluara bëheshin rreth 40 analiza në vit, tani jemi në ritmin prej 4 deri në 8 analizash në ditë. Duhet të kujtojmë se për konfirmimin përfundimtar të diagnozës nevojiten dy teste të pavarura”, tha Klekovski.

Ai shtoi se tashmë janë informuar të gjithë mjekët që mund të vijnë në kontakt me pacientë potencialisht të infektuar.

“Janë informuar të gjitha repartet infektive, mjekët amë dhe familjarë, Klinika e Neurologjisë, si dhe neurologët në përgjithësi. Pra, gatishmëria dhe kapaciteti për njohjen dhe diagnostikimin e sëmundjes janë në dispozicion”, theksoi Klekovski.

Ministri tha gjithashtu se gjatë hartëzimit të rasteve duhet bërë dallim mes vendbanimit të pacientëve dhe vendit ku ata janë infektuar me virusin.