LAJMI I FUNDIT:

Kjo është arsyeja e ndryshimeve të ATK-së për kuponët fiskalë

Kjo është arsyeja e ndryshimeve të ATK-së për kuponët fiskalë

Ende nuk është bërë zyrtare, por ATK-ja është duke planifikuar të ndryshojë gjithë sistemin për dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Sipas zyrtarëve, me modelin e ri që po pritet të hyjë në fuqi nga tremujori i ardhshëm, plikot me kuponët e mbledhur do të zgjidhen në një format lotarie.


Zëdhënësja e ATK-së Valentina Bytyçi, në një prononcim për “Arbresh.info” ka thënë se arsyeja që po bëhen këto ndryshime është për të zvogëluar kërkesën e qytetarëve pasi që sipas saj numri i qytetarëve është vazhdimisht në rritje dhe ka mungesë të stafit. “ATK-ja për të vazhduar tutje me formën aktuale është e pamundur, pasi që interesimi i qytetarëve është vazhdimisht në rritje, dhe për verifikimin e një numri kaq të madh të plikove duhet staf shtesë, po ashtu edhe mjete financiare”, ka thënë Bytyçi

Sipas saj, kjo mënyrë është më e lehtë dhe më e favorshme për qytetarët. “Në fakt ende nuk është zyrtarizuar kalimi në platformën e re të nxitjes së qytetarëve për të kërkuar kuponë fiskalë. Mirëpo, jemi duke punuar rreth finalizimit të formës së re e cila konsiderojmë se sot të edhe me e lehtë dhe me e favorshme për qytetarët”, është shprehur ajo.

Ndërsa, qytetarët nuk e kanë pritur mirë këtë lajm. Ata thonë se më nuk do të mbledhin kuponë fiskalë.

Që nga fillimi i kësaj kampanje e deri më tani numri i qytetarëve të cilëve u janë përcjell plikot për rimbursim është 1,117,141 ndërsa shuma e rimbursuar deri më tani është 20,662,860.00 euro. /Telegrafi/