Këto tri pajisje nuk duhet t’i hiqni nga rryma sapo përfundoni përdorimin


Në përpjekje për të kursyer energji elektrike ose për t’i mbrojtur pajisjet nga defektet e mundshme, shumë njerëz kanë zakon që, pas përdorimit, ta nxjerrin spinën nga priza
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është gjithmonë ide e mirë. Te disa pajisje, ndërprerja e papritur e energjisë mund të ndalojë procese të rëndësishme që zhvillohen në prapavijë, ta shkurtojë jetëgjatësinë e tyre ose të shkaktojë probleme gjatë ndezjes së radhës.
Ja cilat janë tri pajisjet që është më mirë të mbeten të lidhura me rrymën dhe të fiken në mënyrën që e ka paraparë prodhuesi.
Printeri
Edhe pse duket si pajisje që thjesht qëndron në qetësi kur nuk përdoret, printeri gjatë fikjes me buton kryen disa veprime të rëndësishme. Ai e përfundon ciklin e punës dhe përgatitet për gjendje pritjeje.
Nëse, në vend të kësaj, thjesht hiqet nga priza, ky proces ndërpritet. Gjatë ndezjes së radhës, printeri mund të nisë pastrim shtesë të kokave të printimit, gjë që shpesh nënkupton edhe shpenzim më të madh të ngjyrës.
Ruteri i internetit
Ruteri sot është shumë më tepër se një pajisje që siguron internet. Me të shpesh janë të lidhur televizorë, kompjuterë, pajisje të mençura të shtëpisë, kamera sigurie dhe telefona.
Fikja e shpeshtë nga rryma mund ta ngadalësojë rilidhjen me internetin ose të shkaktojë probleme me pajisjet që varen nga një rrjet i qëndrueshëm.
Sigurisht, rinisja e herëpashershme e ruterit mund të jetë e dobishme kur ka probleme me lidhjen, por nxjerrja e përditshme e kabllos nga priza nuk rekomandohet.

Televizori OLED
Nëse keni televizor OLED, ndoshta nuk e dini se ai, edhe pas fikjes, vazhdon të kryejë procese në prapavijë. Këto modele shpesh aktivizojnë automatikisht procesin e freskimit të pikselëve, i cili ndihmon në ruajtjen e cilësisë së figurës dhe zvogëlon mundësinë e mbetjes së përhershme të imazhit në ekran.
Nëse televizori hiqet menjëherë nga rryma, ky proces ndërpritet, gjë që me kalimin e kohës mund të ndikojë në performancën e panelit.
Si është më mirë të fiken pajisjet?
Ekspertët këshillojnë që pajisjet elektronike, sa herë që është e mundur, të fiken përmes butonit të fikjes dhe jo duke nxjerrë spinën nga priza.
Në këtë mënyrë, pajisja mund t’i përfundojë proceset e parapara për fikje të sigurt, gjë që ndihmon në funksionimin më të qëndrueshëm dhe në jetëgjatësinë më të madhe të saj.
Natyrisht, pajisjet është mirë të hiqen nga rryma gjatë stuhive me bubullima, kur mungoni për kohë të gjatë nga shtëpia ose kur ekziston rreziku i mbingarkesës në rrjetin elektrik. /Telegrafi/
































