LAJMI I FUNDIT:

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Abrashi: Taksa ndaj produkteve serbe vetëm paralajmërim, vendimi nuk do të tërhiqet (Video)

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Abrashi: Taksa ndaj produkteve serbe vetëm paralajmërim, vendimi nuk do të tërhiqet (Video)

Gazmend Abrashi thotë se taksa e vendosur për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja nuk do të tërhiqet, dhe kjo, sipas tij, është vetëm një masë paralajmëruese ndaj Serbisë.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj për ekonomi dhe koordinator i Ballkanit Perëndimor, Gazmend Abrashi ka thënë në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, se hyrja e Kosovës në CEFTA ka qenë një gabim.


“Nga këndvështrimi im, hyrja në CEFTA ka qenë nja gabim i Kosovës edhe pse në Kosovë është konsideruar si sukses i jashtëzakonshëm. Hyrja në një treg të tillë kur ne nuk kishim as rrymë e as infrastrukturë ishte gabim strategjik”, thotë Abrashi, përcjell Telegrafi.

Abrashi ka thënë se kjo taksë është vetëm një paralajmërim për Serbinë nga ana e Kosovës.

“Mosrespektimi i një varg marrëveshjeve nga ana e Serbisë ka ndikuar që Kosova të merr këtë vendim”.

Zyrtari qeveritar i cili vjen nga bota e biznesit, thotë se marrëveshja e CEFTA nuk është negociuar si duhet.

“Nuk kemi ditur t’i mbrojmë prodhimet vendore, dhe tash si rezultat i asaj marrëveshje kemi pakënaqësi dhe si rezultat i asaj marrëveshje na vjen edhe presioni nga BE”, thotë Abrashi.

Këshilltari i kryeministrit thotë se taksa prej 10 për qind nuk mund të ketë shumë efekt nëse nuk ka ndërgjegjësim për konsumimin e produkteve vendore.

“Nëse masa ndaj produkteve serbe nuk kombinohet me ndërgjegjësimin për konsumimin e produkteve vendore, atëherë efekti mund të jetë shterpë”, tha ai.

Abrashi thotë se taksa ndaj produkteve serbe mund të rritet deri në bllokim total të produkteve serbe.

“E përsërisë, është masë paralajmëruese nuk ka populizëm. Ne mund të shkojmë deri në bllokim total të produkteve serbe, për shkak se të gjitha institucionet që mund të bëjnë presione janë të informuara pse ne kemi marrë atë vendim”, deklaroi Abrashi.

Abrashi thotë se me këtë masë, bizneset në Serbi do të bëjnë presion të qeveria e Serbisë për ndryshim të qasjes ndaj Kosovës.

“Në takimet që kemi me komunitetin e biznesit në Serbi, tema e statusit të Kosovës është shumë periferike, në krahasim me shitjen e produkteve të tyre në Kosovë”, deklaroi Gazmend Abrashi./Telegrafi/