LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet ulja e çmimit të rrymës edhe për konsumatorët shtëpiak

Kërkohet ulja e çmimit të rrymës edhe për konsumatorët shtëpiak
Foto: Ilustrim

Mos ulja e çmimit edhe për konsumatorët e amvisërisë po konsiderohet e pa drejtë. Përfaqësues të shoqërisë dhe mbrojtës të të drejtave të konsumatorëve kanë kërkuar që çmimi i rrymës të ulet edhe për amvisëritë e jo vetëm për bizneset.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka marrë vendim që nga 1 nëntori të ulen tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët industrialë dhe komercialë për 5 për qind, por jo edhe për konsumatorët e amvisërisë, me arsyetimin se amvisëritë vazhdojnë të kenë çmim të ulët.


Zyrtarët e ZRRE-së kanë thënë se konsumatorët shtëpiak kanë çmim më të ulët të rrymës sesa konsumatorë e tjerë.

Drejtori i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë për Telegrafin se çmimi i energjisë të zbritet deri në 30 për qind.

“Kërkojmë që çmimi i energjisë elektrike të zbritet deri në 30 për qind, sepse mendojmë se nuk ka të drejtë askush për asnjë rritje të energjisë elektrike”, tha Kaçaniku.

Ai tha se kjo ulje e çmimeve te bizneset nuk do të reflektojë në uljen e produkteve.

“Kjo ulje e çmimit të energjisë elektrike te bizneset nuk do të reflektojë të uljen e produkteve që na dedikohen neve. Duhet të jemi të kënaqur se nuk kemi shtrenjtim të energjisë elektrike. Vazhdimisht kemi bërë betejë që rritja e energjisë elektrike të nxjerrët nga vetë struktura e vetë çmimit, sepse konsiderojmë se duke i zbatuar disa standarde pa e rritur çmimin të kenë përfitime të rritura”, thotë ai.

Dardan Abazi, hulumtues në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ka thënë për Telegrafin se do të duhet të kishte zbritje të tarifave edhe për amvisëritë.

“Përballueshmëria e çmimeve për konsumatorët e amvisërisë gjithashtu është e rëndësishme dhe ne do të donim që ZRRE-ja ta merrte parasysh një ulje të përgjithshme të tarifave të energjisë elektrike, për të gjitha kategoritë dhe kjo mund të bëhej nëse do të kishte një zbritje prej 3 për qind për të gjithë kategoritë”, tha Abazi.

Këtë vit sipas tij, ka pasur rritje të kostos së faturave të energjisë elektrike.

“ZRRE këtë vit ka imponuar një ndryshim të strukturës tarifore, i cili ka shkaktuar rritje de-facto të kostos së faturave të qytetarëve të Kosovës. Duke qenë se ka pasur kësi lloj rritjesh përmes ndryshimeve të strukturës së faturave, ne kemi konsideruar që ZRRE-ja të kishte parasysh këtë fakt me vendosjen e tarifave dhe të paraqiste një ulje për të dy kategoritë, ato të amvisërisë dhe bizneset”, tha Dardan Abazi nga KOSID-i.

Zëdhënësja Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, Adelina Murtezaj, për Telegrafin ka thënë se amvisëritë vazhdojnë të kenë çmim të ulët dhe për këtë nuk ka pasur zbritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Ky vendim vjen si rezultat i aprovimit të të Hyrave të Lejua Maksimale për operatorët e rregulluar dhe analizave të dala gjatë llogaritjes së kostove të shërbimit për këto kategori të konsumatorëve. Po ashtu ulja e tarifave për konsumatorët industrial, komercial dhe ndriçimit publik, ka ardhur si nevojë e eliminimit të ndër-subvencionimit në mënyrë që të ribalancohen tarifat gradualisht ndërmjet kategorive të konsumatorëve me qëllim që të zbutjes së ndikimit të rritjes së çmimit dhe reflektimit të kostos për cilindo kategori të konsumatorëve. Pra konsumatorët shtëpiak vazhdojnë të kenë çmim më të ulët se konsumatorë e tjerë”, tha për Telegrafin, Murtezaj.

Llogaritur në çmimet e aktuale të aplikuara nga ZRRE, vetëm kategoria e konsumatorëve të mëdhenj të energjisë reaktive, për tarifat ditore, përkatësisht tarifat e larta dhe e ulët (ditë–natë), për kilovat paguajnë 4.96 respektivisht 6.69 euro. /Telegrafi/