LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet që Serbia të kushtëzohet me kthimin e trupave të të pagjeturve

Kërkohet që Serbia të kushtëzohet me kthimin e trupave të të pagjeturve

Familjarët e personave të pagjetur në Kosovë po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar që të kushtëzojnë Serbinë me kthimin e trupave të familjarëve të tyre, të zhdukur që dy dekada. Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, është mbledhur ku përveç kërkesave të familjarëve, ka diskutuar edhe për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur, dhe organizimin e saj, që do të mbahet më 30 gusht në Kosovë.

Të pashpresë dhe me lot në sy, morën pjesë edhe sot në mbledhje të komisionit, familjarë të personave të zhdukur dhe përfaqësues të shoqatave të tyre.


Ata kërkuan presion ndaj Serbisë, dhe kushtëzim me kthimin e trupave të më të dashurve të tyre.

Dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, ata po konsiderojnë që nuk po behët mjaftueshëm në zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të zhdukur.

Nysrete Kumnova, nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, u shpreh e shqetësuar për 300 mbetjet mortore në institutin e Mjekësisë Ligjore, për të cilat tha se nuk lejojnë që të varrosen diku, pa u bërë e ditur se kujt i takojnë.

“Për 300 mbetje mortore flitet që shumë vite, që janë të identifikuara, por nuk dihet kujt i përkasin. Pse nuk bëhet kjo zgjidhje, këtyre familjeve, që të kuptojmë ne për fatin e tyre, ne që vite të tëra kërkojmë, së paku po flas për vetën time, nëse vetëm një copë asht i gjendet birit tim Albionit, dua të ma ktheni, jo me i mbajt ato 300 mbetje mortore që nuk dihet kujt i takojnë, sepse ato dikujt I takojnë. Dhe nuk pajtohem që shumë shpesh flitet, që është mirë me I marr ato mbetje dhe me i varrosë diku, nuk do të lejojmë si familjarë këtë, sepse ato janë të dikujt”, tha ajo.

Ajo mori zotimin e këshilltarit të Ramush Haradinajt, Jahja Llukës, i cili i tha se askush nuk do të guxojë të prek ato mbetje mortore derisa nuk zbardhet fati i tyre.

Sipas tij, varrimi do të bëhet vetëm për ato mbetje që nuk janë pjesë e luftës.

“300 mbetje mortore që janë nuk guxojnë me u prek derisa nuk zbardhet fati dhe nuk kryhen procedurat e duhura”, tha ai.

Nysrete Kumnova foli edhe për mbështetjen shtetërore që Qeveria Haradinaj u ka premtuar, për rritjen e pensioneve për familjet e personave të pagjetur.

“Ne e dimë që Qeveria është në rënie, por lidhet me takimin e fundit që e kemi pas, kemi biseduar dhe kemi harmonizuar që si komision, si anëtarë, për rritjen e pensioneve të familjeve të pagjeturve. Fatkeqësisht kjo ndoshta ka dështuar, por ishalla jo, e kam një pyetje për zotin Jahja Lluka pasi është i partisë që i takon kryeministri, a do të vazhdojë kjo rritja e pagave të familjeve të të pagjeturve,. Apo do të ngelemi kështu si kemi qenë, pa fëmijë dhe të varfër”, tha ajo.

Jahja Lluka tha se grupi punues do të përfundojë punën e tij, pavarësisht që qeveria është në dorëheqje.

Sipas tij, qeveria ka kryer punën e saj dhe ka miratuar propozimin e grupit punues që në ligjin e ri për pensionet, të përfshihet rritja për këtë kategori.

“Koncept dokumenti është përfunduar dhe aprovuar në Qeveri, po e presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk dua ta politizoj takimin, grupi punues për përgatitjen e ligjit është themeluar , funksion, punon dhe do ta përgatisë ligjin dhe dhashtë Zoti sa më shpejtë të kryhen zgjedhjet dhe nuk e besoj që Parlamenti I Kosovës, pa marrë parasysh në çfarë përbërje do të jetë, edhe kush do ta udhëheq këtë qeverinë e ardhshme, dhe kush do ta aprovojë këtë ligj, mirëpo pa e aprovuar Parlamenti ligjin e ri me ndryshimet që janë propozuar, nuk ka me pas rritje”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme të komisionit u diskutua edhe për shënimin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, ku do të formohet një këshill organizativ.

Kryetari i Komisionit, Prenk Gjetaj propozoi që pjesë e këshillit organizativ të jenë të gjithë anëtarët e komisionit, dhe përfaqësues të familjarëve.

Por, përfaqësuesi i familjeve serbe të personave të zhdukur, Millorad Trifunoviq, bëri të ditur që në të njëjtën ditë do të marrë pjesë në një promovim të një libri, ku ai ka dhënë deklaratë, dhe nuk mund të marrë pjesë në organizmin e 30 gushtit.

E kjo bëri që këshilltari i Haradinajt, Jahja lluka dhe kryetari i komisionit Prenk Gjetaj, të kenë mosmarrëveshje.

“Ky propozim i juaji, zoti kryetar, është mos me thënë propozim i pastër komunist, krejt jemi, askush nuk jemi. Milloradi pot ë thotë unë nuk jam, tip o thua edhe Milloradi, ai tha jam i zënë, se tash po bëhem përkthyes i Milloradit, i ka punët e veta, mos bëni komision komiteti qendror me 30 vetë, sepse nuk keni me bo kushedi çfarë pune, keni me bo një organizim dhe shoqatat kanë me bo punën kryesore. Qysh ja keni fillu ky këshill ka me i pas 50 njerëz. Bëni një këshill organizativ dhe ndani detyrat për me kry punë, nëse doni kështu, po e di prej tash që punë ka me pas pak ose kam e i kry dikush tjetër, e këta që do të jenë në këto letra, pak punë kanë me kry. Mos bëni kështu sepse jemi ngopur. Si kryetar I komisionit qite vetën së pari nëse jen ë gjendje me i kry punët, nëse s’je në gjendje, thuaj sikur Milloradi, kam me shku në promovim të librit”, tha ai.

Sipas tij, nuk ka nevojë të jenë më shumë se gjashtë ose shtatë persona.

“Këshilli organizativ, nuk do të thotë që në atë ditën konkrete, sikur tha Milloradi nuk jam, përgatitjet këshilli i bën për shënimin e ditës ndërkombëtare. Ai tha me 30 nuk jam”, tha Gjetaj.

Kosova do të shënojë Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur më 30 gusht.

Në mbledhjen e sotme të komisionit u propozua që organizime për këtë ditë të ketë më shumë nëpër komuna, dhe jo të gjitha në kryeqytet. /Kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori