Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë për reperin Mossi dhe dy të dyshuarit e tjerë për sulmin ndaj gazetarit Burim Pacolli.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala.


"Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesën në gjykatën kompetente për të tre personat", ka thënë ajo.

Mossi

Tre të dyshuarit ndërkohë gjenden në ndalim nga e mërkura.

Sipas Prokurorisë, artisti nga Prishtina dyshohet për tri vepra penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Kanosje” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokurori i shtetit në koordinim të ngushtë Policinë e Kosovës pas hetimeve intensive kanë ndaluar tre (3) persona, një prej tyre është edhe reperi Mossi për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” sipas nenit 185 të KPRK-së, “Kanosje” sipas nenit 181 të KPRK-së, dhe veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” në bazë të nenit 269 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, konfirmoi zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

Për rikujtim, Pacolli u sulmua të hënën në Prishtinë. /Telegrafi/