LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet hetim për kontratën e 53 milionë eurove me “Bechtel & Enka”

Kërkohet hetim për kontratën e 53 milionë eurove me “Bechtel & Enka”

Humbja e 53 milionë eurove në kontratën e Qeverisë me “Bechtel & Enka” për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, ka bërë që Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) të paraqesë analizën e faktorëve që kanë ndikuar në humbjen e këtyre parave të buxhetit i Kosovës.

Në një konferencë për media, përfaqësuesja e KDI-së, Diana Metushi-Krasniqi, kërkoi hetim nga prokuroria për këtë kontratë, sepse sipas saj, nga qeveritë që kanë udhëhequr vazhdimisht ka pasur neglizhenca të qëllimshme.


Me këtë rast, Metushi-Krasniqi, theksoi se ish-ministri Mujota kishte nënshkruar kontratën në “ikje” duke hyrë në detyrime kontraktuale me “Bechtel & Enka”-në pa kërkesa të qarta të Qeverisë, dhe pa plan të pagesave konform kapaciteteve buxhetore të Qeverisë.

“Ministri Zharku nuk kishte ndërmarr hapa konkret për adresimin e kufizimeve buxhetore dhe ndryshimet e nevojshme kontraktuale. Për më tutje, sipas kontratës në fjalë, borxhi i referuar nga ‘Bechtel & Enka; është i bazuar në një parashikim jo të detyrueshëm të pagesave, të dorëzuar nga kontraktori”, shpjegoi Metushi-Krasniqi.

Tutje, ajo potencoi se në shtator 2016, Ministria e Infrastrukturës kishte përgatitur një draft aneks kontratë, të cilën nuk e kishte implementuar kurrë, ku parashihet inkorporimi i dokumenteve të munguara dhe kostoja e shtyrjes së afatit për 347 ditë në vlerën prej 14.78 milionëve (me TVSH), apo rreth 1 milion euro në muaj, pa TVSH.

“Në Memorandum shpjegues për kërkesën e kontraktorit ‘Bechtel & Enka’ për kompensim të shpenzimeve indirekte për shkak të zgjatjes së afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit” të datës 20.04.2018, që i drejtohet Zyrës së Kryeministrit nga ministri Pal Lekaj, i publikuar nga Kallxo, thuhet se si rrjedhojë e negociatave, Kontraktori ka hequr dorë nga kërkesa për shpërblim të dëmit. Nëse sipas dokumentit në fjalë kontraktori ka hequr dorë nga kërkesa për shpërblim të dëmit, atëherë, KDI kërkon nga Qeveria të shpjegoj si erdhi deri te rritja e çmimit të zgjatjes së kontratës nga 1 milion euro në ditë në 4 milion në ditë”, ka potencuar ajo.

Gjithashtu, Metushi-Krasniqi shtoi se sipas kontratës, si pasojë të dëmit nga vonesat, qeveria do t’i paguaj kontraktorit koston e vonesës dhe një fitim prej 5 për qind të kësaj vlere. Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë qasje në vlerësimin e kostos, e cila është vlerësuar të jetë 45 milionë euro. Kontrata përmban edhe një klauzolë e cila parasheh dëmin e vonesave në vlerë prej 40 mijë euro, e që nëse zbërthehet në 53 milion, e që do të thoshte se kjo kontratë ka pasur vonesa përafërsisht 3.6 vite ose 1,325 ditë”, shtoi ajo.

Me gjithë vëmendjen që kjo kontratë ka pasur gjatë vitit 2017–2018, sipas Metushi-Krasniqit qeveria nuk ka arritur të adresoj kufizimet buxhetore për kontratën e cila pritet të përfundoj me 31 dhjetor 2018, duke buxhetuar shumën prej 51.5 milionë euro për vitin 2018. Gjithashtu, 70.05 milionë euro për mbulimin e obligimeve për ndërtimin e autostradës janë të hyra nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit.

Si përfundim, ka thënë se KDI kërkon që prokuroria të filloj sa më shpejtë hetimet lidhur me këtë neglizhencë, të qëllimshme, të qeverive në fjalë dhe rreth asaj se si një propozim i padetyrueshëm bëhet bazë e një penalltie prej 53 milionëve.

Kurse Zyra Kombëtare e Auditimit të auditoj sa më shpejtë anën komerciale të penalltisë prej 53 milionëve.

Qeveria i jep 53 milionë euro Bechtel & Enka
Lexo po ashtu Qeveria i jep 53 milionë euro Bechtel & Enka

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës kishte miratuar kërkesën për kompensimin e 53 milionë eurove për konsorsiumin “Bechtel & Enka” lidhur me zgjatjen e kontratës. /Telegrafi/