LAJMI I FUNDIT:

Keqpërdoren 2 milionë euro në Thesarin e Shtetit – policia arreston një person, dy të tjerë në arrati

Keqpërdoren 2 milionë euro në Thesarin e Shtetit – policia arreston një person, dy të tjerë në arrati

Mbi 2 milionë euro janë marrë ilegalisht nga Thesari i Shtetit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar dhe dy të tjerë janë në arrati.


Po ashtu, njoftohet se është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit, përcjell Telegrafi.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Lidhur me rastin, Ministria e Financave ka thirrur konferencë urgjente për medie.

“Ju ftojmë që sot në ora 15:45 të merrni pjesë në Konferencën për Media të Ministrisë së Financave. Konferenca për Media do të mbahet në sallën e Konferencave të Qeverisë – P32”, thuhet në njoftimin e MF-së. /Telegrafi/