eksperti-banner

Një nga historitë më të bukura të Kupës së Botës 2026 vazhdon të jetë ajo e Kepit të Gjelbër. Përfaqësuesja afrikane ka hyrë në histori pas barazimeve ndaj Spanjës dhe Uruguait, duke u shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të turneut.

Ajo që e bën edhe më të veçantë suksesin e tyre është fakti se vlera totale e skuadrës është më e ulët se ajo e çdo ekipi që garoi në sezonin 2025/26 të La Ligës.


Vlera e tregut e kombëtares së Kepit të Gjelbër është vetëm 54.5 milionë euro, një shifër modeste krahasuar me rivalët që po përballon në Kupën e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Afrikanët mbërritën në turne si një nga skuadrat më pak të favorizuara, por paraqitjet e tyre kanë treguar krejtësisht të kundërtën. Tani, një rezultat pozitiv ndaj Arabisë Saudite mund t’i çojë drejt një kualifikimi historik në fazën eliminatore.


Real Oviedo, skuadra me vlerën më të ulët në La Liga

Pas përditësimit të fundit të vlerave të tregut në fund të sezonit, Real Oviedo renditet si skuadra me vlerën më të ulët në La Liga, me 55.8 milionë euro.

Edhe kjo skuadër, megjithatë, vlen më shumë se përfaqësuesja e Kepit të Gjelbër, me një diferencë prej pak më shumë se një milion eurosh.

Ky është një fakt i pazakontë për një ekip kombëtar që arriti të mbajë portën e paprekur ndaj kampiones në fuqi të Evropës, Spanjës.

Sa u përket lojtarëve, vetëm dy futbollistë të Kepit të Gjelbër kanë një vlerë tregu mbi 10 milionë euro. I pari është Logan Costa, mbrojtësi qendror i Villarrealit, i vlerësuar me 15 milionë euro.

I dyti është Wagner Pina, mbrojtësi i djathtë i Trabzonsporit, me një vlerë prej 11 milionë eurosh.

Interesant është fakti se lojtari me vlerën më të ulët është pikërisht portieri veteran Vozinha. Gardiani 40-vjeçar, i cili ishte një nga heronjtë e barazimit ndaj Spanjës, vlerësohet me vetëm 50 mijë euro, një shifër minimale në standardet e futbollit modern.

Megjithatë, në Kupën e Botës, Kepi i Gjelbër po dëshmon se vlera në treg nuk përkthehet gjithmonë në sukses në fushë. /Telegrafi/

telegrafi sport app