Kënga Magjike – Java e katërt

Në këtë javë janë paraqitur emra të ndryshëm të muzikës shqiptare. Në garë vjen një këngëtar veteran që nuk heq dorë nga festivalet, një çift i shumë përmendur në mediat shqiptare, një interpretuese e shkëlqyeshme dhe emra të rinj të skenës së muzikës shqiptare.
1. Rrezarta Shkurta – Të jesh e mirë s’ia vlen
Më një këngë të mrekullueshme të kompozuar nga kompozitori Darko Dimitrov dhe me vargje nga Big Basta, këngëtarja Rrezarta Shkurta konkurron përsëri në festivalin “Kënga Magjike”. Kënga ‘Të jesh e mirë s’ia vlen’ është një pop rok baladë e fuqishme të cilën Rrezarta e interpreton jashtëzakonisht bukur.
2. Mili – Urrej që s’të kam
Kënga e dytë konkurruese në edicionin e 13-të të festivalit “Kënga Magjike” vjen nga këngëtari me emrin Mili. Meqenëse ne po iu afrohemi stinës së dimrit, këngëtari Mili, jo i njohur për publikun shqiptar, prezanton këngën e tij verore të quajtur ‘Urrej që s’të kam’.
3. Kujtim Prodani – Rebelja
Këngëtari veteran i muzikës së lehtë shqiptare, Kujtim Prodani, nuk iu është shkëputur asnjëherë festivaleve muzikore. Në moshën 48 vjeçare këngëtari konkurron në garën e fortë në mes të emrave të rinj të skenës muzikore shqiptare. ‘Rebelja’ është një këngë e ëmbël e cila gjatë gjithë kohës shoqërohet me tingujt e bukur të kitarës.
4. Laura Nezha – Jo s’e di
Këngëtarja Laura Nezha është një emër i ri i estradës muzikore shqiptare. Ajo debuton në festivalin e madh muzikor “Kënga Magjike” me një baladë që mban titullin ‘Jo s’e di’.
Kënga, me të cilën këngëtarja bionde konkurron, flet për një dashuri të humbur.
5. Fatjeta Barbullushi – Dashuri në distancë
Këngëtarja nga Shkodra debuton në festivalin “Kënga Magjike” me këngën e saj të quajtur ‘Dashuri në distancë’. Në këtë edicion është vërejtur një tendencë e re, shumë prej këngëtarëve kanë futur në tekstet e tyre pjesë në gjuhën angleze. Si befasi, Fatjeta vjen me një këngë me disa vargje në gjuhën spanjolle.
6. MC Kresha & RozanaRadi – Jabadabadu
Java e katërt mbyllet me një duet i cili sapo ka bërë publike zyrtarisht lidhjen e tyre të dashurisë. Ata janë reperi kosovar Mc Kresha dhe këngëtarja Rozani Radi të cilët konkurroj në këtë festival me këngën e tyre ‘Jabadabadu’. MC Kresha garon për herë të parë në festivalin “Këngën Magjike”, ndërsa Rozana është paraqitur disa herë në këtë festival ku është shpërblyer me çmime të ndryshme për paraqitjet e saja të mrekullueshme dhe për prurjet e reja në këtë festival. Nuk është e sigurt se a do të jetë ky duet aq i suksesshëm sikurse dueti i vitit të kaluar, RozanaRadi dhe Ramadan Krasniqi. /G.Sahiti. /Telegrafi/














































