LAJMI I FUNDIT:

Kelmendi: Nuk e votoj Haradinajn për kryeministër

Kelmendi: Nuk e votoj Haradinajn për kryeministër

Emri i tij u përfshi në mesin e deputetëve që thuhet se “po peshkohen” nga koalicioni PAN për të siguruar votat e mjaftueshme që ky koalicion të krijojë qeverinë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri në detyrë dhe deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, në emisionin Interaktiv të KTV, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe nuk do ta votojë Haradinajn, sepse mendon që platforma ekonomike e koalicionit LAA është më e mirë se ajo e partive tjera.


“Unë jam zëvendëskryeministër. Ramush Haradinaj, partia e tij dhe partitë tjera kanë quar gishtin edhe për rrëzimin tim. Andaj mbështetja e Haradinajt nga ana ime do të ishte pranimi i platformës ekonomike të tyre në raport me ne. Këtë nuk mund të pranoj, sepse platforma e LAA-së është më frytdhënëse, më pozitive sesa çdo platformë tjetër”, ka thënë ai.

Sipas Kelmendit, rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit është kuptuar qartë nga LDK-ja si votë ndëshkuese për bashkëpunimin e fundit që pati me PDK-në.

Ai thotë se partia e tij është e hapur edhe që të qëndrojë në opozitë, por në asnjë mënyrë më nuk do të pranojë bashkëpunim me PDK-në. Kelmendi thotë se pranon të bashkëpunojnë me partitë tjera, me kushtin që LDK të marrë qeverisjen.

“LDK ka pranuar ndëshkimin për koalicionin e fundit me PDK-në. Ne nuk do të bëjmë më koalicion me këta që na shkarkuan. Është problem që të bëjmë koalicion me ata që na kanë shkarkuar. Me PDK-në ekziston një vendim zyrtar që e mbështes deri në fund”, ka shtuar ai.