LAJMI I FUNDIT:

KEK-u nuk ka përgjegjësi për reduktimet e rrymës

KEK-u nuk ka përgjegjësi për reduktimet e rrymës

Drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë thënë se nuk janë përgjegjësi për mungesene rrymës tek konsumatorët. Sipas tyre blloqet e KEK-ut janë duke prodhuar sipas planit.

“Korporata Energjetike e Kosovës është duke prodhuar sipas planit duke respektuar procedurat operuese dhe obligimet kontraktuale ndaj KEDS/KESCO me përpikëri. Sipas Bilancit Energjetik për vitin 2016 në këtë kohë KEK ka paraparë të operojë gjithsej me 3 njësi gjeneruese, 2 njësi të TC Kosova A dhe 1 njësi të TC Kosova B. Gjatë ditës së sotme për shkak të problemeve teknike jemi detyruar të ndalim njësinë A4 dhe si rezultat i asaj KEK ka arritur të sigurojë energji elektrike nga Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) në sasi prej 300 MW/h, sasi e cila e tejkalon planifikimet e parapara sipas bilancit energjetik të aprovuar”, ka njoftuar KEK-u shkruan Telegrafi.


Fillimisht KEK i ka ofruar në dispozicion KESCO-së energji elektrike të huazuar nga KESH-i deri në 300MW/h por KESCO ka refuzuar të pranojë më tepër se 120 MW/h.

“Për më tepër, gjithashtu e informojmë opinionin se njësia A3 është duke prodhuar sipas planifikimit të paraparë dhe nuk ka asnjë problem teknik siç është dezinformuar në deklaratat e dërguara nga Furnizuesi Publik, me këtë rast kërkojmë nga të gjitha palët që obligimet e veta ndaj konsumatorëve ti përmbushin në bazë të licencave të marra”.

Sipas KEK-ut furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike është përgjegjësi ekskluzive e Furnizuesit Publik përkatësisht KESCO-së.

“Në këtë drejtim, KEK është i shqetësuar me këto komunikata të Furnizuesit Publik të cilat tash e sa kohë përmes dezinformatave përgjegjësit e veta i bartin tek prodhuesi, me këtë rast i bëjmë thirrje edhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të ndërhyjë që rastet e njëjta mos të përsëriten dhe palët të përmbahen në deklaratat e tyre konform licencave të lëshuara nga ZRRE”. /Telegrafi/