LAJMI I FUNDIT:

KDI: Tenderi i Ministrisë së Infrastrukturës në kundërshtim me Ligjin për Buxhetin e rishikuar

KDI: Tenderi i Ministrisë së Infrastrukturës në kundërshtim me Ligjin për Buxhetin e rishikuar

Nga janari deri në muajin tetor, Ministria e Infrastrukturës ka iniciuar vetëm tre tenderë për projekte kapitale, prej të cilëve tenderi për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan është anuluar.

Tre ditë para se të miratohej në Kuvend, buxheti i rishikuar për 2020, MI me 27 korrik 2020, shpalli tenderin e dytë për projektin kapital “ndërtimi i urës në Drelaj” duke u bazuar në parashikimet buxhetore të Ligjit fillestar për Buxhetin, pa i konsideruar ndryshimet, respektivisht shkurtimet që do të vinin nga rishikimi i buxhetit.


“Ministria e Infrastrukturës në Deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së mjeteve të datës 22 korrik 2020 , për këtë projekt parashikoi vlerën prej 400 mijë euro (sipas Ligjit 07/L-001 për Buxhetin e vitit 2020). Në fakt, rishikimi i Ligjit për Buxhetin e vitit 2020 (Ligjin 07/L-014) e zvogëloi buxhetin për këtë projekt për 150 mijë euro apo 37.5 për qind, duke e zbritur vlerën totale të projektit në 250 mijë euro. Për këtë projekt, sipas buxhetit të rishikuar, gjatë vitit 2020 janë paraparë të shpenzohen 150 mijë euro dhe 100 euro euro të tjera në vitin 2021. Por buxheti 2020 dhe projeksionet buxhetore afatmesme nuk tregojnë se si do të sigurohen 150 mijë eurot e munguara për këtë projekt”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Sipas KDI-së, probleme të ngjashme kanë edhe mbi 200 projektet kapitale, të cilat janë prekur nga rishikimi i buxhetit, pra nuk dihet se si dhe kur do të rikuperohen buxhetet e shkurtuara. Kjo e rrezikon seriozisht zbatimin dhe kualitetin e projekteve.

Rishikimi i buxhetit të shtetit ka zvogëluar buxhetin për projekte kapitale të Ministrisë së Infrastrukturës për mesatarisht 18 për qind dhe ka prekur mbi 90 për qind të projekteve kapitale. /Telegrafi/