LAJMI I FUNDIT:

KDI: Ministria e Infrastrukturës që 12 vjet nuk po i përfundon punimet në dy rrugë kombëtare

KDI: Ministria e Infrastrukturës që 12 vjet nuk po i përfundon punimet në dy rrugë kombëtare

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezë diskutimit gjatë së cilës është publikuar hulumtimi “Rrugë pa fund”, që shpërfaq gjetjet e saj nga monitorimi i prokurimit publik me theks të veçantë menaxhimit të kontratave, në Ministrinë së Infrastrukturës, për dy projekte të mëdha siç janë zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë dhe asaj Prishtinë-Mitrovicë.

Fjolla Uka-Haxhaj, hulumtuese nga KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve të këtij hulumtimi, ka theksuar se janë analizuar arsyet që kanë ndikuar në vonesat e përfundimit të këtyre dy projekteve.


“Këto dy projekte kanë filluar në vitin 2007 respektivisht 2009. Tashmë janë bërë 12 vite që nuk kanë përfunduar, ndërsa qytetarët nuk kanë informacion se kur pritet të finalizohen edhe mbi 50 km rrugë të papërfunduara nga të dyja projektet”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, shkaku kryesor, në stërzgjaten e punimeve në këto dy rrugë ka qenë procesi i shpronësimit. Kjo pasi që Ministria e Infrastrukturës, ka filluar punët ndërtimore pa përfunduar shpronësimi. Pronarët e pronave të shpronësuara, për arsye të ndryshme kanë refuzuar të lejojnë punimet pa përfunduar kompensimi nga shpronësimi. Si rrjedhojë e gjithë kësaj edhe përfundimi i punimeve nuk ka ndodhur në kohën e paraparë.

“Sipas të dhënave të KDI-së, ekziston vetëm një rast kur Ministria e Infrastrukturës i ka shkëputur kontratën një kompanie punëkryese për shkak të vonesës nga ana e kompanisë në kryerjen e punimeve. Nga ana tjetër KDI-së i është bërë i njohur vetëm një rast, kur një kompani ka paditur ministrinë për shkak të shpenzimeve shtesë si pasojë e mos sigurimit të kushteve të punës. Po ashtu, KDI nuk ka hasur në një plan të projektuar nga Ministria e Infrastrukturës, i cili do të parashihte detajet e realizimit të projektit në tërësi, për asnjërën nga këto dy projekte”, ka njoftuar më tej Uka-Haxhaj.

Tutje ajo shtoi se edhe fenomeni i aneks kontratave ka qenë shumë i shprehur gjatë zhvillimit të këtyre projekteve.

“Kjo ka ndodhur si rrjedhojë e mangësive në hartimin e projekteve por edhe si rrjedhojë e kërkesave të ndryshme të banorëve të zonave rreth rrugëve për kyçje në rrugë, mbikalime, nënkalime, etj.”, ka thënë ajo.

Vonesat në fillim të punimeve në dy segmente konkrete të këtyre rrugëve Lum i Madh-Mitrovicë dhe Kijevë-Zahaç, kanë ndodhur si pasojë e vonesës në sigurim të huave të huaja, nga ana e Qeverisë për të mbuluar koston financiare.

Duke iu referuar natyrës dhe përsëritjes së problemeve në këto dy projekte, KDI-ja i rekomandon Ministrisë së Infrastrukturës që para fillimit të projekteve infrastrukturore, nëse aplikohet shpronësimi, të pres përfundimin e procesit të shpronësimit për të filluar pastaj me realizimin e projektit.

Meqë hartimi i projekteve dhe elaborateve të shpronësimit është proces i rëndësishëm për fillimin e një projekti, Ministria e Infrastrukturës duhet të përzgjedh kompani sa më të kualifikuara për t`i kryer këto punë dhe t’i mbaj ato përgjegjëse në raste të mangësive në produktet e dorëzuara nga to.

Në mënyrë që projektet të realizohen sipas planifikimeve, Ministria e Infrastrukturës duhet t’i kushtoj rëndësi më të madhe procesit të menaxhimit të kontratave dhe të veproj kur ka ngecje në projekte.

Mbi të gjitha, Ministria e Infrastrukturës duhet të rris transparencën dhe të jenë sa më llogaridhënës për punën e vet karshi publikut.

Ky raport është produkt i projektit për monitorimin e prokurimit publik në institucionet publike (MI, MSH, AQP dhe KEK), që financohet nga Ambasada Britanike në Prishtinë. /Telegrafi/