LAJMI I FUNDIT:

KDI kërkon fuqizimin e Prokurorisë për luftimin më efikas të korrupsionit

KDI kërkon fuqizimin e Prokurorisë për luftimin më efikas të korrupsionit

Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë është pasojë direkte e mosvënies në veprim të ligjeve dhe institucioneve ligjore si arsenal për ta luftuar atë në praktikë.

Ky mosefikasitet institucional i derivuar nga mungesa e vullnetit politik ka prodhuar mbivendosje institucionale dhe sistem të dobët të drejtësisë


Visar Sutaj, autor i punimit për luftimin e korrupsionit tha se kjo analizë e politikave është dokument i cili përvijon arsyeshmërinë e përzgjedhjes së një opsioni të veçantë të politikave ose një kursi të caktuar veprimi për të luftuar korrupsionin në mënyrë më efikase.

“Ky punim ofron një pasqyrë të paaftësisë institucionale për ta luftuar korrupsionin, alternativave politike për t’u ballafaquar me të, dhe disa referenca mbi opsionin më të mirë”, tha Sutaj.

“Angazhimi i liderëve politik e institucional është vetëm deklarativ si distancim nga korrupsioni, por veprimet e tyre praktike nuk demonstrojnë përkushtim dhe përballje të guximshme me luftën kundër korrupsionit. Të gjitha të gjeturat, hulumtimet dhe matjet e  opinionit publik, liderët politik dhe zyrtarët publik i radhiten si ‘kryesit kryesor të veprave të korrupsionit dhe krimeve tjera ekonomike. Për më tepër raporti i fundit nga DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit) i publikuar së fundi citon se korrupsioni endemik në qeveri dhe në sektorin privat, si dhe mungesa e ndëshkimit për vepra korruptive   është një nga problemet më serioze të të drejtave të njeriut në Kosovë, gjatë vitit 2015”, tha Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv nga KDI.

Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga LVV shtoi se “korrupsioni ka lëshuar rrënjë dhe shtrirje gjithandej në institucione. Raporti i DASH është kundërthënës me deklarimet e djeshme të Kryeministrit kur thotë se korrupsioni është vetëm perceptim. Kjo flet shumë për qasjen joserioze të Qeverisë karrshi kësaj problematike”.

“Unë poashtu mendoj se pakoja ligjore që trajton çështjen e korrupsionit është e pakompletuar. Unë përkrah opsionin e krijimit të një departamenti të veçantë brenda prokurorisë së shtetit  i cili do të merret vetëm me rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe se ky departament të fuqizohet edhe me buxhet të mjaftueshëm. Mekanizmat tjera duhet të zhbëhen”, tha ajo.

Ndërsa Sokol Havolli, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se “në kuadër të kësaj teme, Qeveria ka ndërmarrë veprime konkrete, të paktën nuk ka lejuar që të mos ketë asnjë rast korruptiv, së paku jo me dijeninë e saj”.

Më tepër ai shtoi se “çështja e luftimit të korrupsionit nuk duhet mbetur peng i vullnetit politik, kjo duhet shtyrë nga Prokuroria e cila edhe e ka këtë mandat. Vullneti nuk duhet të përzihet në shtylla të pavarura siç është drejtësia. Ndërsa sa i përket buxhetit, Qeveria është përkujdesur që maksimalisht t’i aprovojë kërkesat e sistemit të drejtësisë për buxhet duke aprovuar 95% të kërkesave të tyre. Ne jemi në përkrahje të opsionit të parë të propozuar që kërkon një Prokurori të fortë të shtetit”.

Ekziston një thënie që thotë “ujku don mjegull” dhe kjo si duket më së tepërmi po i konvenon Qeverisë e cila ka krijuar mekanizma që kanë ndarë përgjegjësitë por që nuk kanë sjellë rezultate në luftë kundër korrupsionit.

Ndërsa, Betim Musliu tha se në parim do të duhej të testoheshin dhe implementoheshin ligjet ekzistuese, e pastaj të vërtetoheshin mangësitë apo nevojat eventuale për ndryshim të këtyre ligjeve.

“Ne mbështesim fuqizimin e institucioneve të mandatuara me kushtetutë për të luftuar korrupsionin” , tha Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. /Telegrafi/