LAJMI I FUNDIT:

Katedra e parë e Albanologjisë në ShBA

Katedra e parë e Albanologjisë në ShBA

Gjatë muajit maj të këtij viti, pritet të bëhet përurimi i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin DePaul në Çikago. Kjo është hera e parë në historinë e universiteteve amerikane, që studimet shqiptare arrijnë këtë nivel.

“Po punojmë për të krijuar platformën dhe nga momenti i krijimit të saj brenda këtij viti, çdo student do të mundet të drejtohet tek ne dhe të regjistrohet”, ka thënë shefi i Katedrës, Gazmend Kapllani.

Fushat e studimit janë gjithëpërfshirëse, prandaj pritet interesim nga studentë të huaj.

“Do kemi të gjitha disiplinat, nga gjuha, letërsia, historia, arkeologjia, filozofia. Dhe, duam që të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore, sepse Albanologjia ka mundësi të jashtëzakonshme sidomos kur lidhet me çështje që janë në qendër të diskutimeve globale sot, qoftë për letërsinë e diapsorës, qoftë për historinë dhe gjeostrategjinë, qoftë për fenë. Pra, do të mundohemi të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore që mos t’i flasë vetëm studentëve shqiptaro-amerikanë të cilët janë qendra dhe publiku kryesorë i yni, por t’i flaë çdo studenti nga çdo lloj origjine apo baze etnike”, tha ai.

Themelimi i katedrës u bë i mundur nga një donacion i një filantropi shqiptaro-amerikan, emri i të cilit është Hidai Eddie Bregu.

“Ishte njeri me një vizion të jashtëzakonshëm. Sa patriot aq edhe i lidhur me rrymat më bashkëkohore, aq edhe mendjehapur e aq edhe i lidhur me bashkësitë e ndryshme në Amerikë. Pra, për mua është model i patriotit bashkëkohor”, shton Kapllani.

I themeluar në vitin 1898, universiteti DePaul në Çikago është universiteti më i madh katolik në Shtetet e Bashkuara. /VoA/