LAJMI I FUNDIT:

Kasetat ilegale në Arabinë Saudite: Muzika si fuqi jetese

Kasetat ilegale në Arabinë Saudite: Muzika si fuqi jetese

Arwa Haider u zhvendos në Arabinë Saudite kur ishte 13 vjeçe. Ajo kujton se si ishte jeta një adoleshenteje që adhuron muzikën pop në një vend ku kjo muzikë është e ndaluar, transmeton Telegrafi.

Në fund të vitit 2017, ylli i hip-hopit amerikan, Nelly, mbajti koncert veç për meshkuj në Jeddah të Arabisë Saudite; këngëtari i kantrit amerikan, Toby Keith, mbajti koncert të ngjashëm më herët gjatë këtij viti. Këto shfaqje u cilësuan si përparim historik në një shtet të rreptë të Gjirit, ku muzika konsiderohet “haram”. Në fakt, pop kultura ka kohë që sundon në këtë mbretëri. Në vitet 1980 qendrat e këtij mbretërimi ishin shitoret e kasetave me muzikë të ndaluar.


Në vjeshtën e vitit 1988, nëna ime, motra ime shtatëvjeçare dhe unë (një vajzë 13-vjeçare dhe fanatike e muzikës) u zhvendosëm nga Londra për në Al-Khobar. Iu bashkuam babait që nisi të punojë në një spital lokal. Nuk jam e sigurt se çfarë prisnim. Prindërit e mi myslimanë të Irakut, ishin dy mjekë dhe të barabartë; papritur, kjo barazi u zhduk. Më kujtohet nata kur arritëm: vapa dhe trafiku, shikimet e shtrembëta nga të huajt dhe ndjenja e çuditshme e shenjtërisë kur babai na çoi në një dyqan kasetash në rrugën King Khalid.Ky dyqan ishte si shumë të tjerë në Arabi: pa emër, si kasolle, me muret e mbuluara me kaseta të të gjitha zhanreve. Ishin të palicencuara dhe përfshinin editimet e fundit nga Perëndimi. Doja të dëgjoja albumin e Pet Shop Boys, “Introspective”, por në atë dyqan të parë zgjodha kasetën nga Eurythmics dhe disko grupin italian Radiorama.

Dyqanet e kasetave në Arabi kishin një erë të veçantë plastike të djegur dhe pluhuri të shkretëtirës. Çmimi ishte 10 rialë apo 1.5 funte. Këngët ishin incizuar në kasetat C90 (më shumë se albumi mesatar), kështu që shpesh gjeje këngë tjera apo remikse që nuk i kishe në dyqanet britanike.

Gjithçka ishte ilegale: nuk kishte tabelë shitjesh ose honorare për muzikantët – por diçka po lulëzonte, sepse dyqanet e kasetave të tilla mbinë në çdo zonë tregtare. Ato u hapën çdo ditë dhe mbylleshin në oraret e përditshme të lutjes, kur ezani jehonte nga xhamitë në qytet. Aty kishte njerëz fjalëpak (më shumë mikpritës ndaj klientëve meshkuj) dhe vendi ishte i heshtur, sepse ishte e ndaluar të lëshoje muzikë pop në publik. Kjo i bënte këto vende mitologjike: hapësirë e dëshirës së pashprehur.

Megjithatë, kultura e popit u shtua në kohën para internetit. Posa një hit shpërthente në Perëndim, shkaktonte një reagim saudit. Lexonim për muzikë në kopjet e shtrenjta të importuara të Smash Hits dhe New Musical Express (me fotografi të shkarravitura nga censorët fetarë, e edhe kopertinat e albumeve ishin të censuruara). Kapnim valët e radios së Bahrejnit, të cilat lëshonin muzikë nga top-listat britanike. Do të flisnim pastaj me shoqet në shkollat për vajza. Brenda pak ditësh, hiti i ri kopjohej në Azinë Lindore ose Juglindore (p.sh. kasetat Thomsun prodhoheshin në Indonezi) dhe shiteshin në Arabi. E shtypja Walkmanin ose kasetofonin e veturës së babait, dhe përjetoja ritmet nga ana tjetër e botës. Edhe motra e vogël ndjente se muzika na lidhi me lirinë.

Si e rritur, kam qenë me fat që kam blerë muzikë në gjithë botën, por blerja e kasetave false në Arabi ishte një përvojë unike, për të mirë e për të keq. Epoka moderne i ka fshirë këto kaseta. Tregu i globalizuar saudit solli shitoret që shitnin CD të licencuara; Arabia Saudite u bë me iTunes në dhjetor 2012 dhe shërbimin Apple Music në qershor 2015.

Ajo që humbi me ato dyqane të vjetra ishte shkëlqimi i rezistencës underground. Kasetat dëshmuan se muzika ishte një fuqi jetese edhe në kushte më të rrepta. /Telegrafi/