LAJMI I FUNDIT:

Karburant Kosova

Karburant Kosova

Sot je hero, nesër figurë tragjike. Zgjohesh i bullizuar, fle i adhuruar. Dje engjëll, sot hajn dhe mashtrues …

Këta jemi ne.

Kjo është mendësia jonë.

E, politikani Dardan Molliqaj dhe profesori Lulzim Paci janë shembulli më i freskët dhe më i mirë i mendësisë sonë.

I pari, javën që shkoi organizoi protestë kundër shtrenjtimit të rrymës dhe mblodhi para Qeverisë mijëra qytetarë.

S’ka rëndësi nëse të shtunën ishin 3 000 a 30 000 protestues. Rëndësi ka se kauza e protestës ishte legjitime dhe e drejtë. Kjo bëri që ftesës së Molliqajt t’i bashkëngjiten qytetarët hallexhinj, që mezi ia dalin të mbijetojnë në këtë kohë pandemie dhe epidemie ngritjesh të çmimeve.

Partitë opozitare, edhe pse “zëshëm” kundërshtuan paralajmërimin e Qeverisë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, i thanë “JO” protestës së PSD-së së Molliqajt.

Mbase edhe nga frika se në këtë mënyrë do ta legjitimojnë perceptimin se Molliqaj me PSD-në e tij aktualisht janë të vetmit që po i bëjnë opozitarizëm të mirëfilltë 51 përqindëshit të Kurtit.

Nejse.

Erdhi e shtuna.

Qytetarë të shumtë iu përgjigjen thirrjes për protestë, ndër ta edhe ndonjë politikan a deputet nga kampet e tjera opozitare.

Kjo masë sikur e ekzaltoi deri në delir Dardanin, i cili nuk u mjaftua që karvanin e protestuesve ta ndalte aty pranë heroit kombëtar, por ia mësyu shkallëve të objektit të heroit të 51 përqindëshit.

Dardani i protestave, i aksioneve dhe i skenave e përplasjeve të dhunshme me policë, qysh nga koha e aktivizmit të tij në LVV, nuk u mjaftua të flasë nga shkallët e hyrjes në objektin e Qeverisë, që mbrohej nga policët.

Siç edhe e “do rendi”, ndodhi pak një përplasje me policinë. Dardani urdhëroi policët t’ia lirojnë shkallët, deri te dera.

U tejkalua edhe kjo.

Policët u tërhoqën deri në derë. Dardani mbajti fjalim.

Gjithçka përfundoi me hedhjen e qirinjve e poçeve elektrikë në xhamat dhe muret e objektit të Qeverisë.

Dhe, kur u mendua se gjithçka kaloi mirë, përveç përplasjes së lehtë me policin, nga Molliqaj, si për dreq në rrjetet sociale doli një video. Kamerat e kishin filmuar Dardanin duke goditur policin për fytyre.

Përnjëherë ndryshoi gjithçka. Protesta dhe kauza e drejtë kundër shtrenjtimit të rrymës, mbetën nën hijen e shuplakës së Dardanit.

Pse bre Dardan?

****

Erdhi e hëna, dita e parë e vizitës në Kosovë të emisarëve të ShBA-së dhe të BE-së, për dialogun me Serbinë. Por, lajmi kryesor i mëngjesit në mediat tona nuk ishin ata.

Me sabah, lajm u bë profesori i Biologjisë në Gjimnazin e Vushtrrisë, jo për ndonjë të zbulim në fushën e shkencës apo për ndonjë sukses me nxënës, por për vallëzimin e tij.

Profesor Lulzim Paci në mëngjes u zgjua i bullizuar për vallëzimin e tij të shpërndarë në rrjetin social “TikTok”. Në një televizion ai u pa duke qarë. U kërkoi falje familjarëve dhe miqve për shqetësimin. Bile, profesor Luli shkoi aq larg sa vëllait të tij “doktor shkence” – për të mos u ndier i fyer para shokëve “tiktokistë”, i sugjeroi që tash e tutje ta konsideronte si kushëri.

Por, lotët e profesor Pacit nga një viktimë e bulizmit u shndërrua në hero medial. Krejt mileti u kap në valle në përkrahje të profesorit. U vallëzua nëpër shtëpi, nëpër kuzhina e nëpër zyra të punës. Nuk ka informata nëse valles i janë bashkangjitur atë ditë edhe Escobari dhe Lajçaku!

Sidoqoftë, profa, nga një viktimë e mëngjesit u shndërrua në “hit”.

***

Nata e së hënës u mbyll me kalle-kalle.

Sakaq, natën e së martës, erdhi lajmi se Dardan Molliqaj u arrestua, jo në derën e Qeverisë ku ia dha flakareshën policit, por në derën e një studioje televizive.

Prapë, shumë bujë, shumë pyetje, dilema e akuza ndaj organeve të rendit e drejtësisë … mbase të ligjshme.

Pse s’u arrestua në protestë?

Pse nuk u arrestua në shtëpi?

Pse u arrestua pas tre ditësh?

Pse para studios televizive?

Iu dorëzua apo jo fletëthirrja për intervistim në Polici?

… E … shume pse të tjera.

Sidoqoftë, ai u arrestua dhe shkoi në mbajtje për 48 orë. Gjykata e liroi të enjten. Mësyu drejt në vendin e arrestimit … në studio televizive … tha se u mor peng dhe se do të vazhdojë protestat kundër pabarazisë.

Nuk dyshojmë se Dardani do t’i vazhdojë protestat, ndoshta edhe përplasjet me policinë.

***

Dhe, krejt në fund, s’mund e të mos shkruaj disa fjalë edhe për kompensimin e shpenzimeve të karburanteve për deputetët udhëtarë.

Doli se janë 67 deputetë të cilëve shteti ua kompenson shpenzimet e karburanteve, sa herë ata vijnë në Kuvend. Për disa prej tyre u tha se jetojnë në Prishtinë.

Edhe po të jetë se të gjithë ata udhëtojnë në Prishtinë dhe anasjelltas, në qytetet e katundet e tyre që i kanë deklaruar si vendbanim, shumë bre të marrësh nga 300-900 euro kompensim mujor.

Ka përplot votues të tyre që udhëtojnë çdo ditë në të njëjtin relacion me deputetin e tyre në Prishtinë për të marrë 300 euro rrogë, me të cilën e mbajnë familjen.

Nejse …

Tash, s’ka rëndësi sa morën dhe nëse udhëtuan fare deputetët. Rëndësi ka akti i “sakrificës” së një grupi deputetësh.

Shefja e grupit të deputetëve udhëtarë të partisë së saj u deklarua publikisht se tash e tutje kolegët e saj do të heqin dorë nga kompensimi i shpenzimeve të karburanteve, por jo edhe nga kompensimet e privilegjet e tjera.

Kjo heqja dorë nga kompensimi i bie sikur një polic ta kapë hajnin në vepër dhe hajni t’i kërkojë ta lirojë, duke garantuar se nuk do të vjedh më.

Veç edhe na shumë të pashpirt jemi.

Vetë i kemi zgjedhur deputetë e tash ua “nxijmë” jetën.

Kur dalin të flasin në foltore thirren në votën tonë, votën popullore. Shesin moral e rrahin gjoks, duke thënë se treguar sa mijëra vota kanë.

Kanë të drejtë.

Ata na përfaqësojnë.

Pra, a jemi krejt hajna?

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori