LAJMI I FUNDIT:

‘Karantinat e arta’ – si e jetojnë miliarderët pandeminë

‘Karantinat e arta’ – si e jetojnë miliarderët pandeminë

Plot 282 miliarderë janë në karantinë, por për dallim nga njerëzit e tjerë, këta miliarderë janë në karantinë në jahte luksoze, ishuj ekskluzivë dhe bunkerë antinuklear.

Kush janë ata? Çarë bëjnë ata? Si po kujdesen?


Ne nuk jemi të gjithë në të njëjtën varkë. Shumica dërrmuese janë në një ‘anije’ të vogël që po lundrojnë nëpër këto ujëra gjatë kësaj pandemie. Miliarderët po lëvizin me anijet e tyre luksoze, në jahte të mëdha që lundrojnë në Karaibe ose ishujt e Tajlandës.

Shumë prej tyre kanë blerë apartamente 335 metra katrorë për 4,5 milionë dollarë që ta kalojnë këtë pandemi në një luks, transmeton Telegrafi.

Nuk është e njëjta gjë që dikush të kalojë karantinën në një rezidencë me pishinë të madhe dhe fushë tenisi, dhe masa tjetër në një apartament 50 metra katrorë.

Dhe pronarët e pasurive të mëdha jo vetëm që kanë një kohë më të mirë në këto rrethana – është një gjë e dukshme që ka ndodhur gjithmonë në histori – por ato vazhdojnë të fitojnë edhe më shumë. Ata jetojnë në ‘karantina ari’.

Midis 18 marsit dhe 10 prillit 2020, më shumë se 22 milionë amerikanë dhe qindra milionë më shumë në të gjithë botën humbën punën e tyre. Gjatë së njëjtës periudhë, Instituti për Studime të Politikave, i cili ka studiuar rritjen e pabarazisë në botë për një dekadë, zbuloi se pasuria e 170 miliarderëve amerikanë u rrit me 282,000 milionë dollarë, një rritje prej gati 10 % gjatë vitit të kaluar.

Jeff Bezos, pronari i Amazon, kishte një fitim të regjistruar si kurrë më parë në historinë moderne financiare. Nga 1 janari deri më 15 prill, ai e kishte rritur pasurinë e tij me 25 miliardë dollarë, një shifër më e lartë, për shembull, se GDP-ja e Honduras që është 23.9 miliardë, përcjell Telegrafi.

34 miliarderë të tjerë kishin të ardhura të ngjashme, dhe tetë prej tyre arritën deri në 1 miliard dollarë deri më tani këtë vit. Autorët e studimit Chuck Collins, Omar Ocampo dhe Sophia Paslaski i quajnë ata “përfituesit pandemikë”.

Ata janë Jeff Bezos (Amazon), MacKenzie Bezos (Amazon), Eric Yuan (Zoom), Steve Ballmer (Microsoft), John Albert Sobrato, Elon Musk (Tesla dhe SpaceX), Joshua Harris (Apollo Global Management) dhe Rocco Commisso (Mediacom).

Dhe pa qenë këta “përbindësha” të financave, shumë milionerë të tjerë gjithashtu shpëtojnë nga të gjitha rregullat dhe “ruajnë distancat e tyre” shumë metra nga pjesa tjetër e të infektuarve.

Hamptons, zona tradicionale e Long Island ku banorët më të pasur të Nju Jork-ut kanë pallate të shkëlqyeshme, ndërsa ata që nuk kanë pallate aty, merrnin me qira shtëpitë për 200,000 dollarë në muaj për të kaluar karantinën aty.

Pronarët e atyre rezidencave, shkuan në vende edhe më të mbrojtura në Jackson Hole, Palm Beach, Hilton Head Island dhe Sun Valley, ose janë në ndonjë ishull privat në Karaibe.

Fisher Island, ishulli ekskluziv i vendosur përballë Miami, ku të ardhurat mesatare të 1.300 banorëve të tij janë rreth 2.5 milionë dollarë në vit, sipas agjencisë financiare Bloomberg, kanë mbyllur të gjitha hyrjet.

Në Kansas, një zhvillues, shndërroi një kasolle të vjetër raketash 60 metra të thellë në një kompleks luksoz apartamentesh të cilin e quajti “Survival Condo” . Ka një sistem ajri që filtron çdo lloj virusi ose baktere dhe pishinë.

Tashmë ai ka shitur 16 apartamentet me çmime nga 1,5 deri 3.5 milionë dollarë. Shumë prej miliarderëve aziatikë blenë bunkerë të ngjashëm me ata në Kansas që u zhvilluan në Zelandën e Re.

“Për dekada të tëra, miliarderët janë larguar nga pjesa tjetër e shoqërisë”, shkroi Chuck Collins, një nga autorët e Institutit për Studime të Politikave. Dhe ai thekson se sipas statistikave zyrtare, ulja e taksave dhe politikave publike të favorshme për miliarderët, ndihmuan akumulimin e pasurisë së këtyre burrave dhe grave në Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës të rriten më shumë se 1.100% midis 1990 dhe 2018.

“Miliarderët mund të mos e kenë shkaktuar këtë pandemi”, thotë Collins, “por pabarazia ekstreme dhe varfëria janë kushte para-ekzistuese në këtë emergjencë shëndetësore publike. Jo më pak e rëndësishme, të gjitha ato të ardhura nga mbledhja e taksave mund të kishin financuar një sistem shumë më efektiv të shëndetit publik”.

Autorët e studimit propozojnë krijimin e një komiteti për të mbikëqyrur fondet e marra gjatë pandemisë dhe një taksë të ardhura emergjente për miliarderët.

Kriza që nxori virusi tashmë po tregon fitues dhe humbës. Kompanitë e teknologjisë do të përfitojnë shumë, kompanitë e turizmit apo futbollit janë shumë të dobëta. Dhe e gjithë kjo do të krijojë një gjeneratë të re të miliarderëve, të cilët, tani me përvojën e kësaj pandemie, me siguri do të preferojnë të kenë një godinë luksoze në një bunker që do ti bëjë ballë ndonjë virusi tjetër ose në një ishull privat larg botës, për të qëndruar gjithmonë në det. /Telegrafi/