LAJMI I FUNDIT:

Kapet në kufi me Shqipërinë vetura që iu vodh ministrit Liburn Aliu

Kapet në kufi me Shqipërinë vetura që iu vodh ministrit Liburn Aliu

Në media është raportuar se ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, mbrëmë i është vjedhur vetura zyrtare, Audi A3.

Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët njoftuan se vetura është kapur pak orë më vonë nga autoritetet e Shqipërisë në pikëkalimin kufitar në Qafë Morinë.


Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka deklaruar se janë kontaktuar nga autoritetet e Shqipërisë pasi kanë pasur dyshime dhe gjatë verifikimeve është vërejtur se vetura është e vjedhur.

“Sot, më 17.08. 2022 rreth orës 04:30 në Pikën e Kalimit Kufitar- Qafë Morinë, në dalje ka shkuar automjeti i markës Audi ngjyrë e zezë. Veturat në dalje kontrollohen nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit ata kanë pasur dyshime dhe kanë kërkuar bashkëpunim nga zyrtarë policorë të PK-së”.

“Gjatë verifikimeve është vërejtur se vetura është vjedhur. Vetura i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vetura drejtohej nga një mashkull, i cili kishte mungesë të dokumenteve dhe është prezantuar si: B.S., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar)”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga autoritetet e Shqipërisë.

“Kurse, në Stacionin Policor ‘Qendra Prishtinë në ora 08:50 nga B.C., si ankues, është iniciuar rasti ‘Vjedhje’. Vlen të ceket se vetura kishte qenë e parkuar në parkingun e MMPHI-së në Prishtinë”. /Telegrafi/