Kanosi dy persona në Leposaviq, arrestohet qytetari serb

Një qytetar serb është arrestuar këtë të martë pasi në dy raste të ndara ka kanosur dy viktima.
Policia njofton se në rastin e parë, më datë 26.05.2023, viktima femër kosovare serbe kishte raportuar se ndjehet e kërcënuar nga i/të dyshuar meshkuj serbë.
“Viktima po ashtu ka potencuar se nga një i dyshuar mashkull serb ka pranuar një mesazh kërcënues si dhe sipas saj ka parë person/a të maskuar, me gurë, duke bërë lëvizje për rreth zonës ku e njëjta jeton”, thuhet në njoftimin për media.
Ndërsa në rastin e dytë më datë 05.06.2023 viktima mashkull kosovar serb ka raportuar se ishte kanosur me fjalë kërcënuese përmes telefonit nga i dyshuari mashkull kosovar serb.
“Lidhur me rastet është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari B.DJ., (1981), mashkull kosovar serb ndaj të cilit të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet tutje në komunikatë.
Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar të hetojë të gjitha aktet kriminale dhe të parandalojë shfaqjen e dhunës./Telegrafi/





















































