Konflikti me Iranin dhe kërcënimet e reja të Huthive po e vendosin rajonin e Egjiptin nën presion ekonomik dhe diplomatik. Kajro mbështetet te diplomacia dhe ndërmjetësimi, por ndikimi në konflikt mbetet i kufizuar.

Kanali i Suezit shtrihet në një gjatësi prej rreth 193 kilometrash. Kjo rrugë ujore, që lidh Detin Mesdhe me Detin e Kuq, u kursen anijeve që lundrojnë mes Evropës dhe Azisë një devijim prej rreth 10.700 kilometrash rreth Kepit të Shpresës së Mirë. Që nga hapja e tij në vitin 1869, kanali është konsideruar një nga rrugët tregtare më të rëndësishme në botë. Megjithatë, që prej sulmeve të milicisë Huthi ndaj transportit detar ndërkombëtar në Detin e Kuq, shumë kompani detare po e shmangin Kanalin e Suezit. Lufta mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit, si dhe kërcënimet e fundit të rebelëve Huthi për të vënë sërish nën kontroll ngushticën Bab al-Mandab, kanë shtuar frikën se ky trend mund të përforcohet edhe më tej.


Shqetësimet janë rritur sidomos pasi Huthit bombarduan edhe tubacionin Lindje-Perëndim në Arabinë Saudite. Si pasojë, nafta saudite nuk mund të transportohet më drejt portit të Yanbu-së. Ky korridor përdorej deri tani si alternativë për të shmangur Ngushticën e Hormuzit, e cila ishte e bllokuar. Për Egjiptin, në lojë është një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave kombëtare. Sipas presidentit Abdel Fattah al-Sisi, vetëm gjatë vitit 2024 vendi humbi rreth 7 miliardë dollarë amerikanë të ardhura nga Kanali i Suezit. Herë pas here, humbjet arrinin në rreth 800 milionë dollarë në muaj, raportoi agjencia e lajmeve Reuters duke iu referuar presidencës egjiptiane. Pasojat ekonomike, pra, shkojnë shumë përtej sektorit të transportit detar.

"Ekonomikisht, Egjipti ndodhet në një situatë shumë ambivalente”, thotë Stefan Lukas, themelues dhe drejtor i institutit analitik Middle East Minds, në një intervistë për DW. Vërtet që të ardhurat nga Kanali i Suezit në vitin fiskal 2025/26 madje u rritën fillimisht, pasi u transportua sasi shtesë nafte nga Gjiri Persik përmes tubacioneve saudite drejt Detit të Kuq dhe më pas përmes Kanalit të Suezit. Megjithatë, nëse bllokada e ngushticës Bab al-Mandab, e kërcënuar nga Huthit, do të vihej realisht në zbatim, pikërisht ky model alternativ transporti do të pushonte së funksionuari. Dhe kjo do të ndodhte pikërisht në një kohë kur rritja e çmimeve të energjisë dhe kursi i reformave i imponuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar po e kufizojnë ndjeshëm hapësirën financiare të Kajros.

Presion i lartë ekonomik

"Rritja e çmimeve të energjisë i ka shtrenjtuar importet dhe ka nxitur inflacionin. Pasiguria në Detin e Kuq dhe ndërprerjet e mundshme të kalimit përmes ngushticës Bab al-Mandab rrezikojnë të ardhurat nga Kanali i Suezit”, thotë Hannah Voß, eksperte për Lindjen e Mesme në Fondacionin Friedrich Ebert, në një intervistë për DW. Përveç kësaj, edhe turizmi, flukset e kapitalit dhe kursi i këmbimit të paundit egjiptian reagojnë me ndjeshmëri ndaj çdo përshkallëzimi të situatës. Se sa serioze janë tashmë pasojat e kësaj krize, e tregojnë edhe shifrat. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, të ardhurat nga Kanali i Suezit ranë nga 10,25 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2023 në rreth katër miliardë dollarë në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, numri i anijeve që kaluan përmes kanalit u përgjysmua, duke rënë nga më shumë se 26.000 në pak mbi 13.000. Shumë kompani të transportit detar po preferojnë të marrin devijimin e gjatë dhe të kushtueshëm rreth kontinentit afrikan.

Ekspertët e shohin Egjiptin të prekur nga konflikti me Iranin më pak në aspektin ushtarak dhe më shumë në atë ekonomik. Sipas tyre ekonomia egjiptiane ishte stabilizuar fillimisht pas krizës së fundit të vitit 2023. Megjithatë, dalja e kapitalit nga vendi, rritja e kostove të energjisë, rënia e turizmit dhe humbjet nga Kanali i Suezit po e vënë sërish në rrezik këtë rimëkëmbje. Përveç kësaj, një problem tjetër mbetet fakti se reformat thelbësore të ekonomisë nuk janë zbatuar ende. Kjo e bën Egjiptin veçanërisht të ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme dhe krizave rajonale.

"Interes për shtensionim të shpejtë"

"Egjipti ka interes për një ulje sa më të shpejtë të tensioneve”, thotë ekspertja Hannah Voß. Sipas saj, Kajro mbështet përpjekjet ndërmjetësuese, edhe pse jo aq dukshëm sa Katari apo Omani. Në të njëjtën kohë, qeveria egjiptiane përpiqet të ruajë marrëdhëniet e saj me SHBA-në, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shmangur një përballje të hapur me Iranin. Edhe instituti analitik Chatham House e përshkruan këtë qasje si një strategji të qëndrueshme të menaxhimit të rrezikut. Qëllimi nuk është të merret vendim në një luftë rajonale pushteti, por të kufizohen sa më shumë dëmet ekonomike për Egjiptin. Për këtë arsye, Kajro zhvillon dialog me të gjitha palët e konfliktit dhe përpiqet të ruajë sigurinë e rrugëve detare në Detin e Kuq.

"Regjimi i Al-Sisit po ndjek sërish një strategji në dy drejtime”, thotë Stefan Lukas në intervistën për DW. Në planin publik, Egjipti shfaq solidaritet me Arabinë Saudite, dënon kërcënimet e Huthive dhe forcon masat e sigurisë në Kanalin e Suezit. Megjithatë, në prapaskenë, Kajro përpiqet të mbajë të hapura kanalet e komunikimit me Teheranin, pa u pozicionuar hapur kundër Iranit. Kjo qasje lidhet si me varësinë financiare të Egjiptit nga shtetet e Gjirit, ashtu edhe me shqetësimin se vetë Kanali i Suezit mund të kthehet në një objektiv të sulmeve./DW/.