Serbia nuk po lejon kompanitë transportuese nga Kosova që të hynë në territorin e saj me tabelat me regjistrimin Republika e Kosovës. Kjo u ka shkaktuar shumë probleme transportuesve, të cilët thonë se shteti nuk po iu del në ndihmë.

Transportuesi Agim Berisha thotë se nuk po mund ta zhvillojnë biznesin e tyre pasi Serbia nuk po lejon futjen e kamionëve të tij me tebala RKS.

“Nuk na lejojnë të futemi në Serbi me tabela RKS. Për ne si kompani transportuese problem tjetër është se me tabela “proba” shumë firma po na refuzojnë pasi po kanë edhe ata problem me dokumentacione”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Agim Berisha.

Transportuesi tjetër Baton Hoxha që përfaqëson edhe Shoqatën e Transportuesve thotë se ka edhe mungesë të tabelave RKS derisa ato me KS nuk janë më në përdorim, përcjell Telegrafi.

“Bizneseve të transportit në përgjithësi si në tranzit ashtu edhe në ngarkesat që bëhen në Serbi, po na shkaktohen probleme të mëdha në operim. Probleme kemi edhe me pajisjen e kamio0nëve me tabela RKS. Do të kërkojmë ose lejimin e operimit me tabela KS ose të zbatohet marrëveshja e Uashintonit”.

Pas pandemisë transportuesit ndërkombëtarë i ka goditur edhe ky problem i ri.

Derisa kompanitë kosovare po kanë probleme me futjen në Serbi, ato nga shteti fqinj futen lirshëm në Kosovë./Telegrafi/