Një debat i ashpër verbal mes Rogertit dhe Gimbos në shtëpinë e Big Brother VIP Albania ka marrë një drejtim të papritur, duke u shndërruar nga një përplasje tensioni në një rrëfim të fortë dhe tronditës për të kaluarën personale të Rogertit.

Situata, e cila nisi si një shkëmbim fjalësh i zakonshëm mes dy banorëve, nxori në pah plagë të thella dhe pasoja të rënda nga vendime të gabuara që ai pranoi se i ka marrë ndër vite.


Gjatë debatit, Rogerti foli hapur për humbjet e mëdha financiare që ka pësuar si pasojë e bixhozit, duke lënë të befasuar jo vetëm Gimbon, por edhe publikun që e ndiqte situatën. Ai deklaroi se ka humbur shuma marramendëse parash brenda një kohe shumë të shkurtër, duke pranuar se ka çuar dëm edhe pasurinë e tij më të madhe.

“Kam humb 380 mijë dollarë për gjysmë ore. Unë kam çuar dëm një tan shtëpi. S’di ku janë, e kupton? Me lojën time edhe me historinë time,” u shpreh Rogerti, duke treguar pa filtra pasojat e zgjedhjeve që, sipas tij, i kanë kushtuar shtrenjtë.

Këto deklarata u pritën me habi nga Gimbo, i cili reagoi duke theksuar se humbje të tilla nuk janë diçka për t’u lavdëruar dhe se rruga e bixhozit nuk është një shembull për t’u ndjekur. Reagimi i tij duket se e tensionoi edhe më tej situatën, duke bërë që Rogerti të shpërthente emocionalisht.

Në përgjigje të kritikave, ai sqaroi edhe arsyen pse ka vendosur të bëhet pjesë e Big Brother VIP Albania, duke theksuar se qëllimi i tij nuk është të paraqitet si shembull pozitiv, por të tregojë realitetin e jetës së tij. “O vëlla, s’kam ardh për shembull të mirë unë këtu o shok. Kam ardh këtu me tregu jetën time, edhe mos të bëjnë gabimet e mia robt, o budall,” iu drejtua ai Gimbos me tone të larta.

Ky moment i fortë emocional ka ngjallur reagime të shumta te publiku, duke hapur diskutime mbi pasojat e bixhozit dhe mbi rolin që formatet televizive mund të kenë në ndërgjegjësimin për tema të ndjeshme shoqërore. /Telegrafi/