LAJMI I FUNDIT:

Kalendari kulturor mbarëkombëtar nënshkruhet brenda muajit

Kalendari kulturor mbarëkombëtar nënshkruhet brenda muajit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot një delegacion nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, të kryesuar nga ministrja Elva Margariti.

Takimi u zhvillua në zyrat e Ministrisë së Kulturës në Prizren dhe nga aty u tha se kalendari kulturor mbarëkombëtar mes të Kosovës dhe Shqipërisë do të nënshkruhet brenda muajit, në Tiranë.


Gashi tha se është i kënaqur me realizimin e projekteve të kalendarëve të kaluar kulturorë dhe se bashkëpunimi mes dy shteteve do të jetë i vazhdueshëm.

Gashi tha po ashtu se gjatë takimit u dakorduan edhe për një kalendar të përbashkët në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe krijimin e një fondi të përbashkët kulturor për mbështetje të artistëve.

Margariti u shpreh se do vazhdojnë tutje që të mbështesin projekte të reja. Derisa, krijimin e një fondi të përbashkët kulturor dhe kalendarin kulturor në vende tjera e sheh si një mundësi më të madhe për ndërveprim.

“Kalendari është një marrëveshje formale, por përtej kësaj ne gjithmonë kemi mbështetur të gjitha aktivitetet dhe të gjithë artistët në të dyja shtetet. Jam entuziaste që të marrim hapa të rinj që të çojmë përpara projekte të reja siç është edhe ajo e një kalendari edhe më të shtrirë duke pasur për eksperiencën e kalendarëve të viteve të mëparshme të vazhdojmë dhe të kemi të tjera me shtetet tjera fqinje dhe të kërkojmë edhe radhë të tjera të ndërveprimi”, u shpreh ministrja nga Shqipëria. /KP/